Banka e Greqisë parashikon recesion 5 për qind
Berlin, 25 prill - Imperativi historik i Greqisë ndërmjet përpjekjes së dhimbshme për rimëkëmbje të ekonomisë brenda eurozonës dhe prapakthimit të çrregullt, vazhdon të mbetet aktual, theksoi guvernatori i Bankës së Greqisë, Joanis Provopoulos, duke paraqitur Raportin Vjetor.
Ai paralajmëroi që nëse pas zgjedhjeve vihet në dyshim vullneti i qeverisë së re dhe i shoqërisë për të zbatuar programin e rimëkëmbjes ekonomike, Greqia rrezikon të futet shumë shpejt në gjendje tepër të vështirë, informon AMNA.
Guvernatori i Bankës së Greqisë vlerëson se kushtet objektive janë përmirësuar, ndërkaq konsideron se dalja nga kriza do të varet nga aftësia e vendit për të përballuar sfidën historike.
Provopoulos theksoi se niveli i pasigurisë mbetet i lartë, teksa periudha parazgjedhore e ngadalëson objektivisht realizimin e ndryshimeve të programuara.
Guvernatori i mëshoi veçanërisht zbatimit të një stratregjie kombëtare për rimëkëmbjen e koordinuar të ekonomisë, duke i gjykuar si të pamjaftueshme ndryshimet që janë bërë deri më sot.
Banka e Greqisë vlerëson se është e mundur paraqitja e tepricave buxhetore në buxhetin e vitit 2013, duke parashikuar se rimëkëmbja e ekonomisë mund të fillojë në fund të vitit të ardhshëm. Gjithashtu, parashikon se për vitin në vazhdim recesioni do të jetë 5% dhe niveli i papunësisë do jetë më shumë se 19%.
Guvernatori provopoulos vuri në dukje se bankat greke treguan rezistencë për tu shënuar gjatë gjithë krizës, megjithë rrjedhjen e depozitave me vlerë 70 miliardë euro.
Ai e cilësoi 2012-si një vit stacion për zhvillimet në sektorin bankar, teksa procedi i riorganizimit që ka filluar me rikapitalizimin, do të ndryshojë fizionominë e bankave greke.