02 Nëntor 2024

Banka Botërore po finalizon një program aktivitetesh për të ndihmuar Kosovën

Prishtinë, 9 prill - Banka Botërore (BB) ka bërë të ditur se është duke finalizuar një program aktivitetesh për të ndihmuar Kosovën për menaxhimin dhe zbutjen e ndikimit të krizës, përfshirë një projekt të ri me aprovim të shpejtë për t’iu përgjigjur prioriteteve urgjente të sektorit shëndetësor dhe për të mbrojtur të hyrat e amvisërive; një ristrukturim të projekteve të aprovuara tashmë për të mobilizuar fonde në mbështetje të ndërrmarjeve të vogla dhe të mesme; dhe së fundi një operacion kredie të politikave për zhvillim për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike dhe për të ndihmuar në financimin e buxhetit. Së bashku, këto programe ka të ngjarë të tejkalojnë 120 milionë euro.

Për Kosovën, raporti i BB-së projekton që në mënyrë të ngjashme me vendet e tjera të rajonit - ekonomia do të pësojë një tkurrje në vitin 2020*, edhe nëse masat parandaluese hiqen gjatë tremujorit të dytë të vitit.

"Përveç mbylljes së përkohshme të aktiviteteve kyçe ekonomike dhe humbjes së të hyrave të lidhura, në Kosovë ndikimi i pandemisë do të shoqërohet kryesisht me uljen e eksporteve të nxitura nga diaspora, të remitancave informale, si dhe të Investimeve të Huaja Direkte në ndërtimin e banesave; por ekonomia pritet të rimëkëmbet në vitin 2021", thekson BB.

Sidoqoftë sipas BB-së nëse pandemia vazhdon përtej tremujorit të dytë të vitit 2020, ndikimi i COVID-19 do të jetë më i ashpër në anën e furnizimit të ekonomisë, duke çuar në humbje afatgjata në vende të punës dhe prodhim.

Masat vendimtare të politikave që prioritizojnë investimet në sistemet e shëndetësisë dhe ofrojnë rrjeta të sigurisë për njerëzit, sidomos ata më të cenueshmit, janë me rëndësi kritike për zbutjen e ndikimeve të pandemisë COVID-19 (koronavirusi) në Evropë dhe Azi Qendrore, shprehet raporti rajonal Përditësimi Ekonomik - Pranverë 2020.

Përveç tyre, vendet e rajonit mund të ndihmojnë në mbajtjen e veprimtarisë ekonomike duke e mbështetur sektorin privat me kredi të përkohshme biznesi, ulje taksash ose shtyrje të pagesave tatimore. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që preken mund të përfitojnë ndjeshëm nga subvencionet e targetuara të qeverisë.

“Gjatë këtyre kohëve jashtëzakonisht të vështira, është e domosdoshme që politikëbërësit të veprojnë në mënyrë vendimtare,” tha Cyril Muller, Zëvendës Presidenti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore.

“Kjo do të thotë se duhet lëvizur me shpejtësi për forcimin e sistemeve shëndetësore dhe rrjetave të sigurisë sociale, mbështetjen e sektorit privat dhe ruajtjen e stabilitetit dhe besimit financiar - të gjitha me rëndësi kritike për jetën e njerëzve.”

Parashikimet për implikimet ekonomike të COVID-19 i nënshtrohen një pasigurie të konsiderueshme.

Andaj, raporti shfrytëzon ushtrime simuluese për të ilustruar gamën e rezultateve të rritjes që mund të materializohen si rezultat i pandemisë.

Skenarët sugjerojnë se rritja rajonale do të bjerë në recesion në vitin 2020, duke u tkurrur nga -4.4 deri në -2.8 për qind, shkaku i frenimit nga pandemia e koronavirusit, para se të ringrihet në vitin 2021 bashkë me vendosjen e masave të politikave, rimëkëmbjen graduale të çmimeve globale të mallrave themelore, dhe forcimin e tregtisë.

“Distancimi social dhe mbyllja e bizneseve jo esenciale dhe shkollave janë masa të nevojshme për ta përmbajtur përhapjen e pandemisë dhe për të shpëtuar jetë,” tha Asli Demirgüç-Kunt, Krye Ekonomist i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore.

“Në të njëjtën kohë, politikat duhet të synojnë të minimizojnë kostot ekonomike të këtyre masave dhe të sigurojnë rimëkëmbje të shpejtë, në vend të një rimëkëmbje të ngadaltë, pasi të mbarojë pandemia".

Masat mbështetëse, siç janë transferet e parave të gatshme ose subvencionet e kujdesit shëndetësor në ndihmë të njerëzve dhe familjeve të cenueshme, kreditë e përkohshme të biznesit, dhe zbritjet tatimore për bizneset, do të jenë me rëndësi kritike për zbutjen e rënies dhe ruajtjen e vendeve të punës, thuhet në raport.

Pandemia e COVID-19 po ndodh kur situata ishte tashmë brishtë për rajonin. Rritja në tregun në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim të Evropës dhe Azisë Qendrore u ngadalësuan në 2.2 për qind në 2019. Prej shkurtit, rajoni është përballur me një betejë gjithnjë e më të vështirë për ta përballuar si krizën e menjëhershme shëndetësore ashtu edhe sfidat afatgjata të sjella nga pandemia globale.

Grupi i Bankës Botërore po ndërmerr veprime të gjera dhe të shpejta që t’u ndihmojë vendeve në zhvillim për forcimin e reagimit ndaj pandemisë, rritjen e mbikëqyrjes së sëmundjeve, përmirësimin e ndërhyrjeve të shëndetit publik, dhe që të ndihmohet sektori privat të vazhdojë veprimtarinë dhe t’i mbajë vendet e punës.

Ky Grup ka ndarë në 160 miliardë dollarë për mbështetje financiare gjatë 15 muajve të ardhshëm për t’u ndihmuar vendeve t’i mbrojnë të varfrit dhe të cenueshmit, t’i mbështesin bizneset, dhe të forcojnë rimëkëmbjen ekonomike.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)