Banka Botërore përkrahë Kosovën me projekte zhvillimore
Prishtinë, 25 gusht -Ministri i Financave Agim Krasniqi priti sot në takim Menaxherin e Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë Marco Mantovanelli, ku biseduan për suksesin dhe sfidat e implementimit të portfolios së Bankës Botërore në Kosovë, si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, me theks të veçantë në fushat të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik, në politikat sociale, në uljen e papunësisë, në arsim dhe shërbime shëndetësore cilësore.
Gjatë takimit të dyja palët u dakorduan që në kuadër të portfolios së përbashkët të ndërmerren hapa për të siguruar që projektet të kenë ecurinë e duhur në implementimin e tyre.
Ministri Krasniqi duke falënderuar Menaxherin e Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë Marco Mantovanelli theksoi se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Bankës Botërore ka qenë shumë i mirë dhe se projektet e financuara nga Banka Boterore kanë dhënë rezultatet e tyre në shoqërinë tonë, dhe se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen drejt financimit të projekteve me impakt në zhvillimin ekonomik të vendit.