Banka Botërore këshillon Shqipërinë për zhvillimin afatgjatë të vendit
Tiranë, 25 nëntor - Banka Botërore këshillon Shqipërinë për zhvillimin afatgjatë të vendit. Mësohet se përfaqësuesja e Bankës Botërore, Ellen Goldstein ishte e pranishme në takimin informal të kabinetit qeveritar i cili u zhvillua ditën e shtunë.
Në këtë diskutim që ka zgjatur për rreth 10 orë, Goldstein ka dhënë sugjerime konkrete për zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë, mundësitë ekonomike që ka Shqipëria për tu zhvilluar dhe rëndësinë e madhe që duhet ti kushtohet kapitalit njerëzor, kujdesit për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre burimeve njerëzore si dhe informimit se si ndikon çdo masë e marrë tek qytetarët.
Sugjerimet e saj janë në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë të Qeverisë Rama me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar për të kaluar me sukses gjendjen e vështirë në të cilën është ekonomia shqiptare.
Lidhur me këtë takim, Kryeministri Edi Rama ka pohuar dje se është diskutuar gjatë për mirëqeverisjen, rezultatet por dhe problemet që duhen zgjidhur.