Banka Botërore e gatshme të mbështesë MAP
Prishtinë, 12 prill - Ministrja e Ministrisë së Administratës Publike, znj. Edita Tahiri ka pritur sot përfaqësuesin e Bankës Botërore në Kosovë, z. Ranjit Nayak me bashkëpunëtorë. Temë e këtij takimi ishte bashkëpunimi në mes MAP-së dhe Bankës Botërore dhe hapat në vazhdim drejt realizimit të synimeve për një administratë të reformuar, efikase dhe të paanshme.
Përfaqësuesi i Bankës Botërore ka përgëzuar znj. Edita Tahiri, për funksionin e saj të ri, duke e vlerësuar lart vizionin e saj për administratën publike dhe për të ardhmen e vendit. Gjithashtu z. Nayak ka prezantuar edhe kolegët e tij të tjerë nga BB-ja, të cilët do të jenë të gatshëm të ofrojnë mbështetje varësisht nga nevojat dhe kërkesat e ministrisë.
Ministrja Edita Tahiri ka shprehur kënaqësinë për mbështetjen dhe ka vlerësuar se bashkëpunimi me partnerët dhe me miqtë e Kosovës, siç është Banka Botërore, është faktor i rëndësishëm që do të jap rezultate.
Filozofia e punës sime si ministre e administratës publike do të mbështetet në dy komponentë qasjen reformatore, e cila përkon me përvojën time të gjatë në politikë dhe kërkesën e vazhdueshme për ndryshime, si dhe në formimin akademik në shkollën Xhon Kenedi, ku kam magjistruar për Administratë Publike, ka thënë në këtë takim ministrja e Tahiri.
Ajo ka theksuar prioritetet e MAP-së dhe ka kërkuar mbështetjen në përshpejtimin e Reformave në Administratën Publike, duke thënë se obligimet që dalin në rrugën drejt integrimeve evropiane, sjellin përfitim për qytetarët e Kosovës, sepse duke plotësuar ato standarde, përmirësohet cilësia e jetës në vend.