Banka Botërore do të mbeshtes projekte e punësimit nga MPMS
Prishtinë, 17 janar - Edhe për vitin 2012, ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale Nenad Rashiq, ka marrë mbështetjen e plotë nga Banka Botërore për vazhdimin e bashkëpunimit në realizimin e projektit Punësimi i Qëndrueshëm që ka për qëllim gjenerimin e vendeve të reja të punës për punëkërkuesit e regjistruar në QPP.
Projektet që janë financuar nga Banka Botërore për vitin 2011 kanë pasur një vlerë prej 3 milion euro, ndërsa për vitin 2012 kjo vlerë pritet të rritet, pasi që projekti dhe zbatimi i tij ka shënuar rezultate shumë pozitive në drejtim të punësimit.
Ministri i MPMS-së Nenad Rashiq, i shoqëruar nga zyrtarë të kësaj ministrie në takimin që pati me përfaqësuesit e Bankës Botërore diskutuan mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ndërsjellë edhe për këtë vit në realizimin e shumë projekteve, projekte këto të cilat janë vazhdimësi e vitit të kaluar.
Fillimisht ministri Rashiq i falënderoi përfaqësuesit e Bankës Botërore për mbështetjen e fuqishme që kanë dhënë në zhvillimin e deritanishëm, sidomos në gjenerimin e punësimit, ka nënvizuar rëndësinë e projekteve që përmes ndihmës financiare të dhënë nga Banka Botërore priten të zhvillohen edhe këtë vit si projekte për punësimin, projekte tjera dedikuar komunave me grante e shumë projekte tjera dhe asistenca të ndryshme varësisht sipas nevojës.
Ndërkaq përfaqësuesit e Bankës Botërore i premtuan ministrit Rashiq se do vazhdojnë me ndihmën e dhënë edhe për vitin 2012 në të gjitha ato projekte ku ka filluar realizimi i tyre nga vitet e kaluara. Ata thanë se për këtë vit do të jetë një vlerë financiare edhe më e madhe se vitet e kaluar për të gjitha projektet që mbështeten nga Banka Botërore.
Programi i mbështetur në strategjinë e punësimit 2010-2012 tanimë konsiderohet si projekt që ndikon direkt në zbutjen e papunësisë.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale do të jetë udhëheqëse e përgjithshme e këtyre programeve dhe përgjegjëse për menaxhimin e plotë të tyre, vlerësimin e projekteve, monitorimin dhe menaxhimin e punës së ekipit punues të këtyre programeve që janë në kuadër të MPMS-së.