Banka Botërore aprovon Strategjinë e parë për Partneritet me Kosovën
Washington, 30 maj - Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore mirëpriti Strategjinë e parë për Partneritet me Vendin (CPS) që kur Kosova shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008.
Strategjia mbulon vitet 2012-15 dhe mbështet Kosovën në përpjekjet e saj për të përshpejtuar rritjen ekonomike, për të hapur vende pune dhe për të përmirësuar menaxhimin e ambientit.
Zgjedhja e projekteve merr në konsideratë objektiven parësore të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Bordi miratoi mbështetjen e propozuar të Bankës Botërore për Kosovën. Drejtorët ekzekutivë mbështetën përqëndrimin selektiv të strategjisë në përshpejtimin e një rritje ekonomike gjithëpërfshirëse, si dhe krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e menaxhimit të mjedisit.
Ata çmuan fokusin në ndihmën ndaj Kosovës për të adresuar kufizimet e saj të theksuara të energjisë elektrike, me qëllim të baraspeshimit të objektivave për siguri të energjisë, energji të lirë dhe me ndikime minimale sociomjedisore.
Bordi theksoi rëndësinë që të merren në konsideratë të plotë çështjet mjedisore duke zvogëluar rreziqet dhe ndikimet në përputhje me standardet e Bankës Botërore.
Drejtorët po ashtu përshëndetën përpjekjet e ndërmarra për të minimizuar nevojën për energji nga djegia e thëngjillit, duke shprehur mbështetjen e plotë për investimet e propozuara nga CPS për energji efiçiente dhe për energji të ripërtëritshme.
Puna në vijim për të zbutur rreziqet mjedisore në Kosovë do të vazhdojë dhe do të ndihmojë Kosovën të ecë drejt përmbushjes së standardeve mjedisore të BE-së.
Një projekt i ri për të rritur furnizimin me ujë poashtu është planifikuar. Strategjia përmban mbështetje financiare, teknike dhe analitike për Kosovën për të përmirësuar klimën e saj afariste, për të avancuar infrastrukturën dhe për të vazhduar me mbështetjen e sektorit bujqësor të vendit.
Banka Botërore po ashtu do të vazhdojë të investojë në arsim dhe ngritjen e shkathtësive, kornizën rregullative dhe institucionale për punë dhe mbrojtje sociale si dhe në menaxhim të financave publike dhe përpjekjet anti-korrupsion.
Pritet që financimi nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA) për CPS do të jetë rreth 76 milionë dollarë amerikanë, të plotësuara nga 66 milionë dollarë amerikanë në fonde grantesh të kanalizuara përmes IDA-së nga donatorët.
Veç kësaj, Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), krahu i sektorit privat i Bankës Botërore, synon të sigurojë rreth 4050 milionë dollarë amerikanë në financime të drejtpërdrejta për sektorin privat si dhe fonde shtesë për shërbime këshilluese.
Grupi i Bankës Botërore po ashtu do të vazhdojë mbështetjen për një agjendë të gjërë zhvillimore, përmes një programi të fuqishëm të asistencës analitike dhe teknike.
Me një nivel të lartë të varfërisë dhe papunësisë, sidomos mes të rinjve dhe grave, sfida kyçe zhvillimore e Kosovës ka të bëjë me krijimin e parakushteve për një zhvillim dinamik të rritjes së qënrueshme, theksoi Jan-Peter Olters, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovë.
Investimet në arsim dhe sektorin privat janë elemente kyçe në një strategji që synon krijimin e vendeve të punës të cilësisë së lartë, shtoi Olters.
Kosova e ka të qartë se kufizimet e rëndësishme në infrastrukturë dhe çështjet e tjera sistemik do të duhet të adresohen për të joshur investime në masë dhe nivel të nevojshëm për të rritur roduktivitetin e përgjithshëm të ekonomisë.