Ballkan, për 10 vite kanë rrjedh 111 miliardë dollarë para të paligjshme
Washington, 5 qershor - Ekspertë të transparencës financiare në Ballkan thonë se një nga arsyet që pengon vendet e këtij rajoni të bëjnë përparim, janë paratë e paligjishme që dalin nga këto vende.
Dje në një nga mjediset e Kongresit amerikan u zhvillua një diskutim për qarkullimin e këtyre lloj fondeve, arsyeve të korrupsionit dhe rrugëve për të frenuar dukuritë që pengojnë mirëqenien e qytetarëve dhe zhillimin demokratik.
Në takimin e organizuar nga Instituti i Adriatikut për Politika Publike dhe Forumi për Udhëheqës Ndërkombëtar, u paraqit një tablo e qarkullimit të paligjshëm të parave, trafiqeve, krimit të organizuar dhe mafias në Ballkan.
Për Drejtorin e Përgjithshëm të organizatës Integriteti Global Financiar Tom Cardamone, shifrat flasin vetë:
Rreth 1 trilion dollarë para të pista në vit dalin nga të gjitha ekonomitë e vendeve në zhvillim. Që ta vëmë këtë shifër në kontekst, sasia e përvitshme e ndihmës së huaj për zhvillim është rreth 100 miliardë dollarë. Pra pak a shumë përpjestimi është 10 me 1. Për çdo dollar ndihmë të huaj, që jepet për ekonominë e vendeve në zhvillim, 10 dollarë dalin nga këto ekonomi.
Nga viti 2001 deri në vitin 2010, rrjedhja e parave të paligjshme nga Ballkani ka qenë 111.8 miliardë dollarë. Natasha Srdoc, Bashkëthemeluese dhe kryetare e Institutit të Adriatikut, thotë se dhe kjo është vetëm shifra e vërtetuar, pa përfshirë transaksione me para në dorë.
Për këtë dhjetë vjeçar, rrjedhja për Shqipërinë ka qenë 1.3 miliardë dollarë, që korrespondon me 10 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.
Vende të tjera të rajonit kanë shifra edhe më të larta, Mali i Zi, me një rrjedhje që i korrespondon 138 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe Serbia me 112 për qind.
Shqetësimi kryesor për rajonin është se korrupsioni politik është shumë i përhapur dhe pengon konsolidimin e shtetit ligjor, gjyqësorin e pavarur dhe nga mungesa e gjyqësorit të pavarur dhe shtetit ligjor, kemi grupe kriminale dhe terroristë dhe rruga e trafiqeve në Ballkan po lulëzon.
Përsa i takon Shqipërisë, zonja Srdoc përmend shifrat e raporteve si ai i Europolit sipas së cilit, mafia shqiptare është shumë aktive në tregëtinë e drogave.
Një dukuri që pasqyron se sa i rëndë është problemi i trafiqeve në Ballkan, edhe si çështje e të drejtave të njeriut është shifra prej 200 mijë e femrave të trafikuara në rajon, në raport me një milion në gjithë botën.
"Të gjithë duhet të këmbëngulim që Komisioni Evropian dhe Evropa të jenë më të angazhuar për vendosjen e shtetit ligjor, gjyqësorit të pavarur në rajon dhe një gjë e tillë do të bëjë të mundur rikthimin e këtyre të ardhurave. Mund të ndërtojnë ekonominë, të ulin ndjeshëm papunësinë.
Maurice McTigue, ish-ministër në qeverinë e Zelandës së Re dhe këshilltar në administratat e Presidentëve Bill Clinton, George Bush dhe Barack Obama, thotë se perëndimi dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara duhet ti kushtojnë vëmendje problemit të ekonomisë informale, trafiqeve dhe korrupsionit, sepse Shtetet e Bashkuara dhe Evropa së bashku përfaqësojnë rreth 58 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të gjithë botës.
Ai thotë se perëndimi ka një përgjegjësi të konsiderueshme për atë që ndodhi në këto vende, pas rënies së komunizmit.
Ajo që ne bëmë gabim me një farë naiviteti, ishte të mendonim që ato vende që po dilnin nga regjime totalitare, kishin të njëjtat sisteme vlerash që kishim edhe ne.
Zoti McTigue shpjegon se në disa raste në këto vende ka pasur 3 breza që nuk ka pasur institucione demokratike:
Ne gabuam që menduam se institucionet e këtyre vendeve do të ishin në lartësinë e duhur për të ndihmuar në ndërtimin e një sistemi demokratik të drejtë dhe të ndershëm dhe ato nuk ishin në fakt në gjendje ta bënin këtë.
Ai shton se duhet punuar më shumë që këto vende të kuptojnë se qeveritë moderne janë qeveri ligjesh, jo individësh.
Ajo që mund të bëjmë ne si vende të lira, është të ndihmojmë njerëzit të kuptojnë se sa i rëndësishëm është shteti ligjor në këtë proces, sa e rëndësishme është që vendimet e bazuara në ligje të jenë të drejta dhe kjo do të siguronte që një vendim të jetë i njëjtë sa herë që ta çosh në gjykatë.
Ekspertët ishin të një mendjeje se nismat për çrrënjosjen e këtyre dukurive nuk mund të jenë të suksesshme nga brenda rajonit nëse nuk ka një angazhim më të madh nga Shtetet e Bashkuara.