Bajrami informoi bizneset e Rahovecit me shërbimet që ofrohen nga Qeveria
Rahovec, 29 shtator - Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me komunën e Rahovecit, në kuadër të aktiviteteve Ditët e Biznesit të Vogël 2015 organizoi konferencën informuese për zhvillimin e sektorit privat.
Në këtë konferencë informuese me bizneset e këtij rajoni morën pjesë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ministri i Financave Avdullah Hoti, kryetari i Komunës së Rahovecit Idriz Vehapi, përfaqësues nga ATK, Dogana e Kosovës, përfaqësues të institucioneve lokale si dhe përfaqësues të biznesit.
Qëllimi i konferencës ishte informimi i bizneseve me shërbimet që ofrohen nga Qeveria, si në nivel kombëtar ashtu edhe në nivel lokal që kanë të bëjnë me zhvillimin sektorit privat dhe krijimin e kushteve më të favorshme për investime, si dhe u prezantuan projekte të donatorëve.
Në fjalën e saj, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, fillimisht potencoi mbështetjen e ministrisë që ajo drejton për përkrahjen e vazhdueshme në zhvillimin e sektorit privat, duke krijuar kushte më të favorshme në zhvillimin e biznesit në Kosovë, si dhe në krijimin e klimës më të mirë për investime.
Ministrja Bajrami, po ashtu bëri të ditur se gjatë një periudhe nëntëmujore janë bërë shumë hapa konkret në përmbushjen e prioriteteve strategjike të Qeverisë së Kosovës në zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik të vendit, si dhe në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve.
Janë themeluar grupe në kuadër të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik (KKZHE), për të adresuar barrierat tregtare. Këto grupe punuese përfshijnë përfaqësues të të gjitha institucioneve relevante dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, që diskutojnë për çështjet në nivel teknik dhe njëkohësisht i japin rekomandime konkrete Këshillit, theksoi ministrja Bajrami.
Ajo i ftoi bizneset që ti adresojnë barrierat tregtare tek institucionet vendore të cilat pastaj do të adresohen tek mekanizmat përkatës të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik si dhe tek mekanizmat e CEFTA-s.
Ministrja po ashtu i informoi të pranishmit për ligjin për investime strategjike, i cili do të krijojë lehtësira dhe mundësi më të mira për investime si dhe për aprovimin e ligjit për Skemën për Garantimin e Kredive.
Ajo potencoi mbështetjen e vazhdueshme të sektorit privat përmes projekteve të ndryshme siç është projekti Skema Voucher i cili zhvillohet në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti, i njoftoi bizneset rreth pakos së re fiskale, për lehtësirat në procedurat tatimore, si në taksa po ashtu edhe në import, gjatë zhvillimit të aktiviteteve të bizneseve.
Në këtë takimi bizneset i prezantuan shqetësimet e tyre rreth zhvillimit të aktiviteteve të tyre biznesore, kurse përfaqësuesit institucionalë i informuan bizneset pjesëmarrëse në konferencë rreth nismave që janë duke u ndërmarrë nga institucionet qëndrore dhe lokale në lehtësimin e zhvillimit të biznesit në përgjithësi dhe njëkohësisht në përkrahje të vazhdueshme të sektorit privat dhe krijim të kushteve më të mira për investime.