Bajrami e Hoti në konferencën e Bordit të Guvernatorëve të BERZH
Londër, 11 maj - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami dhe Ministri i Financave, Avdullah Hoti, së bashku me një delegacion të Republikës së Kosovës po marrin pjesë në konferencën e njëzetepestë të Bordit të Guvernatorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e cila po i zhvillon punimet në selinë e BERZH-it në Londër.
Punimet e konferencës kanë filluar dje, me 10 maj, dhe do të vazhdojnë deri më 12 maj 2016.
Në këtë konferencë po marrin pjesë delegacione të larta nga qeveritë e vendeve anëtare të BERZH-it dhe nga institucionet financiare ndërkombëtare.
Në margjina të konferencës, dje më 10 maj 2016, ministrja Bajrami zhvilloi takime bilaterale me drejtoren e Sektorit të Transportit të BERZH-it, Sue Barret, me drejtorin e Grupit të Ballkanit Perëndimor për Financimin e Institucioneve pranë BERZH-it, Hennry Russell, me drejtoren e Sektorit për Financimin dhe Zhvillimin e NVM-ve, Charlotte Ruhe, dhe me drejtorin për rajonin e Ballkanit Perëndimor në BERZH, Holger Muent.
Po ashtu ministrja Bajrami takoi edhe drejtorin për Evropë dhe Lindje të Mesme të Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Yamanaka Shinichi.
Me përfaqësuesit e BERZH-it, ministrja Bajrami bisedoi lidhur me projektet rrugore dhe hekurudhore të cilat do të financohen nga ana e BERZH-it, si dhe për mundësitë e financimit nga BERZH të projekteve të reja për ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugëve, rehabilitimin dhe ndërtimin e linjave hekurudhore, financimin e ndërtimit të infrastrukturës fizike të zonave ekonomike, etj.
Gjithashtu, në këto takime u bisedua për gjetjen e formave dhe mundësive nëpërmjet të cilave BERZH mund të përkrah Fondin Kosovar për Garantimin e Kredive si dhe ofrimin e mbështetjes për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë.
Ndërsa në takimin e mbajtur me drejtorin për Evropë dhe Lindje të Mesme të Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar u diskua për thellimin e bashkëpunimit në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar me qëllim të gjetjes së formave për përkrahjen dhe financimin e projekteve për zhvillim ekonomik në Kosovë nga ana Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar.