Azemi: Sindikata është dashur të protestojë
Prishtinë, 2 maj - Anëtari i Kryesisë së Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovë (BSPK-së) dhe kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat (SPSP), Jusuf Azemi, ka deklaruar se më 1 Maj - Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve - është dashur të protestohej nga ana e BSPK-së, pavarësisht se janë rritur pagat në sektorin publik.
Janë rritur pagat në sektorin në të cilin i kemi 80 mijë punëtorë, kurse 200 mijë punëtorë në sektorin privat punojnë në kushte mizërie, ka thënë Azemi.
Azemi nuk i ka mohuar akuzat e opozitës se BSPK-ja është nën petkun e Qeverisë së Kosovës.
Po e them se ndoshta ka diçka, sepse është shumë normale që BSPK-ja ka kërkuar të zgjidhen problemet e punëtorëve ose të rriten pagat dhe asnjëherë Qeveria e Kosovës nuk është marrë seriozisht me të. Por shpeshherë për 1 maj, kur kemi dalë në protestë, kryeministri Thaçi ka thënë se kanë dalë në protestë disa shoqata joqeveritare. Kështu ai e ka trajtuar BSPK-në, kurse tani del e thotë se kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me BSPK-në, është shprehur ai.
Sipas tij rritja e pagave në sektorin publik është bërë disa herë, kurse rritja e pagave në sektorin privat është shantazhuar dhe diskriminuar.
"Tia japësh një pagë prej 130 eurosh dikujt që punon 8 orë në ditë ose minimum 40 orë në javë është diskriminim. Nuk mund të zgjedh fjalë të rënd për ta përshkruar këtë që po e bën Qeveria e Kosovës", ka theksuar ai.
Sipas tij rritja e pagave e ka dëmtuar shumë sektorin privat. Këtë diskriminim, që është duke e bërë Qeveria e Kosovës, në raportin e sektorit publik me atë privat, ndoshta nuk do ta bënte asnjë qeveri e vendeve të tjera", ka theksuar ai për "Epokën e re".