02 Maj 2024

Azem Syla duhet ta lëshojë Zvicrën deri më 15 maj 2012

Prishtinë, 27 shkurt - Azem Syla, deputet në Parlamentin e Kosovës, duhet ta lëshojë Zvicrën deri më 15 maj 2012, shkruan e përditshmja zvicerane “Sonntags Zeitung”. Sipas ditores, ai e ka keqpërdorur sistemin social të Zvicrës”.

 

Ai nuk ka punuar kurrë në Zvicër, ndërsa ka jetuar nga ndihmat sociale dhe pensioni se “gjoja ishte 100 për qind invalid për arsye psikike”.

Sipas gazetës, edhe pse vendbanimi i tij në faqen e Kuvendit të Kosovës është fshati Kishnarekë, ai vazhdon të jetë “banor” i Zvicrës. Kantoni i Solothurnit ka kërkuar që ai t`i kthej mbi 190 mijë franga nga gjithsej 426 mijë frangat që i kishte shfrytëzuar. “Me kësi parazitësh socialë”, shkruan ditorja zvicerane, “Syla e dëmton edhe imazhin e bashkëkombësve të tij në Zvicër”.

Sipas gazetës, deputeti aktual i PDK-së, ish-komandant i SHP të UÇK-së, Azem Syla, mbi 16 vite me familjen e tij ka jetuar nga ndihmat sociale të Zvicrës, ndërsa në territorin helvetik nuk ka qenë asnjëherë në marrëdhënie pune.

Syla madje kërkon që Zvicra edhe më tutje të mbulojë shpenzimet e tij të jetesës dhe të mbajë lejeqëndrimin C. Po ashtu, ai refuzon t’i kthejë kontributet financiare që i ka marrë në formë të pensionit.

Dy procedura gjyqësore janë duke u zhvilluar, ka konfirmuar avokati i Sylës për “Sonntags Zeitung”.

Në shkurt të viti të kaluar, kantoni i Solothurnit i kishte ndaluar ndihmat, ndërsa Syla përmes avokatit të kishte kërkuar që kjo mbështetje t’i vazhdohet me ruajtjen e lejeqëndrimit (C).

Kantoni ka kërkuar që ai t`kthej mbi 190 mijë franga nga gjithsej 426 mijë frangat që i kishte shfrytëzuar.

Gazeta nënvizon se Azem Syla nuk ka punuar kurrë në Zvicër, ndërsa ka qenë aktiv gjatë proceseve politike në Kosovë, duke drejtuar disa poste, si nga ai si shefit të SHP të UÇK-së, pastaj anëtar i delegacionit në konferencës ndërkombëtare për Kosovën në Rambuillet, ministër në qeverinë e përkohshme e deri në postin e sotëm të deputetit të PDK-së në Kuvendin e Kosovës.

Pasi mori ndihma sociale, ai nga viti 2002 mori një pension, sepse gjoja ishte 100 për qind invalid për arsye psikike. Pasi “Sonntags Zeitung” në janar 2011 kishte njoftuar se Syla ende e ka lejeqëndrimin C, kantoni i Solothurnit më 1 shkurt 2011 i ndërpreu pagesat. Deri atëherë ai kishte marrë 426 mijë franga.

Syla nuk e pranon ndërprerjen e pagesave, ai dëshiron të marrë edhe më tutje pension. Për këtë duhet të vendosë gjykata e çështjeve të sigurimeve.

Sipas gazetës, edhe pse vendbanimi i tij në faqen e Kuvendit të Kosovës është fshati Kishnarekë, sipas avokatit klienti i tij banon në Zvicër, ku pas ndalimit të ndihmave është dashur që ai me të shoqen të banojnë tek vajza e tyre. Gjatë kësaj periudhe që Syla ka ushtruar shumë funksione në Kosovë, ka qenë shfrytëzues i mjeteve financiare nga Zvicra.

Kantoni i Solothurnit, respektivshti departamenti për migracion, ka vendosur ta largoj Azem Sylën nga Zvicra, ku deri më tani ishte përpjekur të qëndrojë. Më 13 shkurt 2012 atij iu dha vendimi nga Gjykata Administrative, ku ndër tjera thuhet se leja e qëndrimit të përhershëm, e dhënë më 1999, nuk është dashur t′i jepej fare, për faktin se Syla gjatë asaj periudhe ka qenë anëtar i Qeverisë së Kosovës.

“Një ministër i mbrojtjeje në një vend të përfshirë nga lufta është dashur të gjendej në vendin e tij. Ai ka abuzuar dhe keqpërdorur sistemin social të Zvicrës në një masë të rendë për shumë vite”, thotë vendimi.

Më tutje gjykatësit theksojnë se Syla “pa asnjë dyshim është në gjendje” të punojë dhe të fitojë para. Duket se ai nga kjo “dëshiron të heqë dorë” dhe “me vite të tëra në mënyrë drastike e ka shfrytëzuar dhe madje keqpërdorur sistemin social të Zvicrës”.

Vitin e kaluar është shkruar se Enti Federal për Migracionin (BFM) në Zvicër ka njoftuar që Kadri Veseli dhe Azem Syla, dy prej personaliteteve më të afërta të Hashim Thaçit, vazhdojnë të kenë lejeqëndrim të përhershëm në Zvicër. Siç ka bërë të ditur gazeta zvicerane, në numrin e saj të së dielës, ish-shef i SHIK-ut dhe ish-udhëheqësi i UÇK-së vazhdojnë që të kenë vizën C.

Sipas medieve kosovare, Syla para zgjedhjeve ka bërë publike pasurinë e tij: ai merr 12 mijë euro rrogë vjetore si anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës. Rroga mesatare vjetore në Kosovë është 3600 euro. Syla ka deklaruar se shtëpia e tij në Kishnarekë vlen 170 mijë euro, ndërsa në xhirollogari bankare i ka 150 mijë euro. Po ashtu, siç thotë avokati i tij, ai merr rrogë edhe si deputet.

Ndaj, është e çuditshme për autoritetet zvicerane, që një politikani i privilegjuar të luftoj kundër ndërprerjes së domosdoshme të ndihmës sociale. Me kësi parazitësh socialë, shkruan ditorja zvicerane, Syla e dëmton edhe imazhin e bashkëkombësve të tij në Zvicër.

Syla me familje në Zvicër mund të qëndrojë deri më 15 maji 2012. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)