Avancohet bashkëpunimi në mes APIK-ut dhe OEK-ut
Prishtinë, 16 mars - Në zyret e Agjencisë për Promovimin e Investimeve, që vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, kryeshefi i kësaj agjencie, Mustafë Hasani priti në takim kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliun.
Kryetari i OEK-ut shprehi kënaqësinë që APIK-u është vendosur në aneksin e ri, ku ka krijuar një ambient më të përshtatshëm për pritjen dhe inkurajimin e investitorëve.
Në takimi u bisedua për çështjet që kanë të bëjnë me avancimin dhe bashkëpunimin në mes APIK-ut dhe OEK-ut, si dhe për mundësinë e promovimit të Kosovës jashtë vendit, me qëllim të ngritjes së imazhit të Kosovës tek investitorët e huaj.
Të dy bashkëbiseduest u dakorduan që partneriteti në mes këtyre dy institucioneve të vazhdojë edhe më tej në koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta për prezantimin e Kosovës brenda dhe jashtë vendit, organizimin e konferencave që promovojnë investimet, misioneve shitëse, programe B2B, panaireve, si dhe për aktivitetet tjera.
Po ashtu u bisedua edhe për përfaqësimin e Kosovës në Samitin e Bizneseve për Ballkanin, që do të mbahet më 23-24 mars 2011 në Maryland të SHBA-se, ku Kosovën do ta përfaqësojnë Valdrin Lluka, këshilltar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Mustafë Hasani kryeshef i Agjencisë për Promovim të Investimeve, Safet Gërxhaliu Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës dhe Lekë Musa-Drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane.