Avancohet bashkëpunimi Kosovë-Austri
Prishtinë, 30 mars - Oda Ekonomike e Kosovës nënshkroi sot një Memorandum Mirëkuptimi me kompanin austriake Verpura GmbH për të mbështetur kompanitë e vogla dhe të mesme (NVM), anëtare të Odës Ekonomike të Kosovës.
Nepërmjet kësaj marrëveshjeje, Verpura do të ofrojë për dy vite zgjidhjen e tyre për menaxhimin e kompanive dhe trajnime dhe mbështetje teknike.
Për më tepër, në bashkëpunim edhe me kompaninë vendore Iron Consulting sh.p.k. do të shihen mundësitë për përkrahjen e kompanive të vogla dhe të mesme kosovare për të ndërtuar partneritet me kompanitë austriake.
Kryetari i Odës Ekonomike Safet Gërxhaliu tha se është i kënaqur për arritjen e kësaj marrëveshjeje nepërmjet së cilës kompanive të vogla dhe të mesme vendore u ofrohet pa pagesë qasje në këtë mundësi për të menaxhuar kompanitë sipas modeleve të avancuara austriake dhe për të përdorur teknologjinë informative.
"Tash jemi në kohën digjitale dhe kompanitë në botë po e ndjekin trendin dhe këtij treni po i bashkohen edhe kompanitë vendore", ka theksuar Gërxhaliu.
Përkrahja e NVM-ve sipas tij ka qenë prioritet i Odës dhe ky projekt është edhe një investim në këtë drejtim.
Florian Gumpinger nga kompania Verpura tha që është shumë i gëzuar që gjendet në Kosovë, tani si ndërmarrës.
Ai tregoi që Kosovën e ka njohur fillimisht si ushtar i KFOR-it dhe se tani ndihet i gëzuar që do të ketë mundësinë të japë kontribut modest në avancimin e efektivitetit të NVM-ve në Kosovë.
Naim Huruglica nga Iron Consulting tha që integrimi i NVM-ve kosovare në partneritete me kompani austriake dhe nga vende të tjera të BE-së është rruga më e shpejtë për të siguruar qëndrueshmërinë ekonomike të Kosovës.
Ky projekt do të mbështetet financiarisht nga Austrian Development Agency ADA nga Austria.