Austria partner strategjik për zhvillim ekonomik
Vjenë, 25 shtator - Rritja e bashkëpunimit ekonomik në mes Kosovës dhe Austrisë, krijimi i kushteve për investimet austriake në Kosovë, si dhe për bashkëpunimin ishin ndër temat e diskutimit ndërmjet kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu dhe kryetarit të Odës Ekonomike të Austrisë, Christof Leittel.
Po ashtu në takim u diskutua krijimi i partneritetit strategjik në mes OEK-ut dhe Odës Ekonomike Federale të Austrisë në drejtim të reformave në sistemin e organizimit të odës me bazë të fuqishme ligjore, si një nga parakushtet për përgatitje të vendit për integrim ekonomik dhe politik në familjen evropiane.
Po ashtu, kryetari Gerxhaliu falënderoi Austrinë për miqësinë e treguar historikisht në raport me Kosovën dhe në veçanti në vitet e 90-ta, kur Austria hapi dyert për studentët kosovarë, si dhe theksoi partneritetin e shkëlqyer me Ambasadën e Austrisë në Kosovë.
Kryetari i Odes Ekonomike Federale të Austrisë, Leittel, u zotua që do të përkrah në çdo aspekt fuqizimin e OEK-ut, përfshirë edhe integrimin e saj në organizata ndërkombëtare, sidomos tani në fazën e fundit të anëtarësimit në Eurochambres. Më 28 tetor në Prishtinë do të organizohet Forumi më i madh ekonomik mes dy komuniteteve biznesore Kosovës dhe Austrisë.