Austria e gatshme që të mbështesë Kosovën në Inovacion dhe Ndërmarrësi
Prishtinë, 27 shtator - Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, priti në takim Peter Hasslacher, drejtor i Zyrës Tregtare Austriake për Slloveni, Shqipëri dhe Kosovë dhe Përfaqësues i Ambasadës Austriake në Kosovë për Ekonomi, së bashku me Vjosa Huruglica, Udhëheqëse e Zyrës Tregtare të Austrisë në Kosovë.
Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi mes dy vendeve për zhvillimin ekonomik dhe sektorin e edukimit.
Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të bashkëpunojë ngushtë me Ambasadën Austriake dhe Zyrën Tregtare Austriake për të lidhur institutet hulumtuese Austriake për inovacion, me theks të veçantë në identifikimin e nevojave të sektorit privat të Kosovës për trajnime, që do të jetë një nga hapat e parë të bashkëpunimit.
Gjithashtu bashkëpunimi do të shtrihet në fushën e edukimit, ku ADA ka dhënë një kontribut të vazhdueshëm.
Ministri Beqaj dhe z.Hasslacher u dakorduan për shkëmbim të informatave dhe përvojave nga bizneset e suksesshme austriake për ato kosovare, në funksion të marrjes së ideve, rritjes së produktivitetit, konkurrueshmërisë dhe potencialit për eksport.