Auditori konfirmon dallaveret e partive
Prishtinë, 18 korrik - Mosdeklarimi i financave dhe fshehja e donacioneve nga partitë politike në vend është konfirmuar edhe nga Auditori i Pavarur.
Pas organizatave joqeveritare në vend dhe mediave lidhur me fshehjen e donacioneve dhe deklarimin e mjeteve vetëm nga Fondi për Demokraci, për partitë një përgjigje në këtë drejtim ka dhënë dhe auditori, duke verifikuar madje se partitë bëjnë manipulime dhe me fatura.
Përveç PDK-së, LDK-së, AAK-së që llogariten si partitë më të mëdha në vend dhe të tjerat parti nuk kanë treguar korrektësi lidhur me mjetet e shpenzuara financiare gjatë fushatave.
Në raportin e Auditimit, një kopje të së cilit posedon Zëri tek te gjeturat theksohet se Aleanca Kosova e Re (AKR) ka disa fatura të periudhës së vitit 2011 ku nuk është zbatuar parimi aktual, disashpenzime nuk janë mbuluar me faturë tatimore siç kërkohet nga ligjet në fuqi por vetëm me kuponë, disa fatura për shpenzimet e rrymës janë paguar në emër të personave që nuk ishin kontraktor për qera.
Më 17 shtator 2012 për AKR-në është bërë një pagesë nga jashtë me vlerë 7,221.00 euro- Ndrek Volkspar. Prandaj, kësaj partie i bëhet e ditur në raport se ndihma financiare nga jashtë është në kundërshtim me Ligjin për financimin e Partive Politike. Nëse ndihma financiare nga jashtë bëhet për trajnime dhe seminare atëherë Subjekti Politik duhet të gjejë një formë që përmes OJQ-ve të kryhen këto trajnime dhe seminare.
Çdo shpenzim të ndodhur ta mbuloni me dokumentacion përkatës të plotë-fuqishëm siç janë faturat, kontratat... etj duke aplikuar Ligjin për TVSH-në, i rekomandohet AKR-së, ku po ashtu i tërheq vërejtja që tek shpenzimet e rrymës, duhet ti rregullojë faturat me qiradhënësin që faturat të faturohen në emër të Subjektit Politik ose të qiradhënësit të rregullohen me kontratë.
Ndërkaq, për Lidhjen Demokratike të Dardanisë (LDD) auditori ka gjetur se i mungon dokumentacioni lidhur me pagat, kontratat me të punësuarit, kalkulimet, pagesat, pagesat e tatimeve dhe kontributeve. Nuk është prezantuar ndonjë raport i bankës apo i arkës, as faturat për shpenzimet e prezantuara. LDD rekomandohet të respektojë parimin e aktualitetit që vetëm të hyrat dhe shpenzimet e periudhës raportuese të raportohen dhe ti përmbahet Ligjit për Financimin e subjekteve politike, për përmbajtjen e dokumentacionit në raportin financiar vjetor.
Ndërsa tek Partia Demokristiane për Integrim (PDKI) auditori thekson se shpenzimet në pasqyrën e të hyrave dhe shpenzimeve janë prezantuar gabimisht në krahasim me pasqyrën e shpenzimeve analitike - 1,520.00 sipas pasqyrës dhe 10,630.00 sipas analitikes së shpenzimeve.
Donacione nga persona që nuk janë banorë të Kosovës-adresa e vendbanimit jashtë Kosovës, të cilët kanë kontribuar me valute shkruan Fr. Nuk është dhënë data e saktë e dhënies së donacionit që të mund të verifikohet kursi i këmbimit të valutave. Shumica e shumave të paguara janë në Franka (francez apo zviceran nuk dihet) dhe disa (6) persona nga Kosova, por pa numër personal, në euro, ndërsa totali është në Euro. Ky subjekt politik rekomandohet të merr për bazë Ligjin për financimin e subjekteve politike me rastin e pranimit të kontributeve në të holla.
Të hyrat dhe shpenzimet në pasqyra dhe në shpalosje duhet të jenë të harmonizuara, thuhet në raport. Edhe për Partinë Liberale të Kosovës (PLK) auditori ka konstatuar tek të gjeturat se tek të hyrat (nga anëtarësia)prej 12,500.00 eurove mungon dokumentacioni dhe nuk është plotësuar formulari përkatës. Ka dallim në mes të shpenzimeve në pasqyrën e të hyrave dhe shpenzimeve në krahasim me pasqyrën e shpenzimeve analitike. Shpenzimet e përgjithshme në pasqyrën e të hyrave dhe shpenzimeve janë prezantuar për të balancuar kontributin nga anëtarësia, por nuk janë prezantuar tek shpenzimet analitike.
Auditori mes tjerash ka rekomanduar këtë parti se duhet ti përmbahet formatit të formularëve të përcaktuar nga KQZ-ja si dhe të aplikoi ligjet e aplikueshme tatimore të Republikës së Kosovës sidomos për TMB, kontribute pensionale në të ardhura personale dhe tatimin në qira.
As partitë e komuniteteve nuk ndodhen në pozitë më të mirë sa i përket respektimit të Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike. Disa parti si Srpska Socijal Demokratska Stranka, Srpska Kosovsko Metohijska Stranka , Stranka Demokratskih Promjena, Srpska Narodna Stranka , Social Demokratska Stranka Gore,...kanë dorëzuar formularët të paplotësuar me zero.
Ndërkaq, për Srpska Demokratska Stranka Kosova i Metohije (KIM) tek të gjeturat në raport thuhet se edhe në vitin 2012 (përveç dy pagesave për KRM pastrimi) të gjitha pagesat janë kryer me të gatshme, megjithëse SP e ka të hapur llogarinë bankare.
Për këtë parti auditori ka theksuar se artikujt e blerë nuk dihet çfarë artikuj janë, nuk përshkruhet kujt i është dhënë dokumentacioni, janë lëshuar fatura në emër të personit fizik dhe jo subjektit politik.
Po ashtu për këtë parti në raport thuhet se është vërejtur mos respektimi i parimit të aktualitetit-pagesa e shpenzimeve për vitin 2010, nuk janë paguar tatimet dhe kontributet në paga dhe tatimi në qira.
Nga KIM auditori ka kërkuar që me qëllim të respektimit të parimit të transparencës duhet të kryej pagesat nga llogaria bankare jo të kryej pagesa me para të gatshme, duhet të respektohet parimi i aktualitetit që vetëm të hyrat dhe shpenzimet e periudhës raportuese të raportohen, Subjekti politik duhet të përdor faturat tatimore sepse ka cilësinë e personit juridik e jo kuponët që janë vetëm për persona fizikë.
Rekomandojmë subjektin politik që me qellim të respektimit të parimit të transparencës në shfrytëzimin e parave publike të zbatoj procedura dhe rregulla nga Ligji i Prokurimit publik në Kosovë. Kurse, partia tjetër Samostalna Liberalna Stranka (SLS) tek të gjeturat ka dal se nuk i bart shënimet në Pasqyra Financiare nga viti paraprak (2011).
Të dhënat për bilancin e gjendjes nuk janë prezantuar siç duhet sipas Bilancit të gjendjes nuk barazohet.... Detyrimet në fund vitin e kaluar sipas raportimit SP i ka paraqitur me vlerë zero ku e vërejmë se nuk është prezantuar drejt sepse patjetër duhet të ketë detyrime në fund të vitit siç është tatimi i muajit dhjetor.
Po ashtu auditori ka konstatuar se SP tek pasqyra e të hyrave dhe shpenzimeve nuk ka paraqitur hyrat nga buxheti i Kosovës subvencion për partitë politike me vlerë : 266,000.00 euro. SP në këtë pasqyrë ka paraqitur te hyrat zero, ndërsa shpenzimet 128,324.03, të dhënat nuk janë prezantuar siç duhet.
Po ashtu kjo parti nuk paguan TMB për paga, kontributet pensionale si dhe për qira. Subjekti Politik ka bërë tërheqje nga llogaria bankare. Nuk ka udhëhequr ditarin e arkës të arsyetojë me fatura këto shpenzime veç janë bërë tërheqjet... Kësaj partie mes tjerash i rekomandohet që të zbatojë ligjet fiskale të aplikueshme në Kosovës.
/ Zëri/