Auditorët gjejnë shkelje ligjore në Pasqyrat Financiare të Subjekteve Politike
Prishtinë, 29 qershor - Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) i konsideron shqetësuese dhe alarmante të gjeturat e Raporteve të Auditorëve të Pavarur mbi Pasqyrat Financiare të Subjekteve Politike për vitin 2017.
Auditori, edhe kësaj radhe, konfirmoi shkelje të mëdha të ligjeve në fuqi nga subjektet politike dhe identifikoi që shumë nga veprimet e subjekteve politike janë në kundërshtim të hapur me parimet e transparencës financiare dhe llogaridhënies institucionale.
GLPS, më poshtë, veçon disa (katër) nga të gjeturat më problematike të identifikuara në këto raporte.
Me këtë rast, GLPS u bën thirrrje subjekteve politike që sa më parë të përmirësojnë sjelljet e tyre dhe te mos vazhdojnë shkeljet e evidentuara.
Kurse institucioneve relevante u kërkojmë që të ndjekin rrugët ligjore për të vënë përpara përgjegjësisë zyrtarët dhe subjektet në fjalë.
1) Asnjera nga partitë e audituara, konkretisht PDK, LDK, AAK dhe LVV, nuk vlerësohen me një opionin të pakualifikuar. Kjo nënkupton që asnjëri nga subjektet në fjalë nuk ka arritur që pasqyrat financiare t’i paraqesin në mënyrë e kërkuar sipas ligjit dhe standardeve minimale të kërkuara. Auditori në raport me PDK-në, LDK-në dhe LVV-në jep opinion të kualifikuar.
Ndërsa në rastin e AAK-së, auditori mohon shprehjen e opinionit. Mohimi i opinionit do të thotë që auditori nuk është në gjendje të siguroj dëshmi të nevojshme për të fituar një bazë për një opinion të auditimit.
Në terma financiar dhe standardeve të kontabilitetit të aplikueshme në Kosovë ky është vlerësimi më i ulët në mesin e subjekteve tjera të audituara.
Ky rast, pra i subjektit AAK, përbën vlerësimin më negativ të mundshëm që Auditori ka dhënë në vlerësimin e fundit, gjë e cila mbetet evidencë e keqmenaxhimit dhe mungesë së rregullsisë, përtej çdo standardi të financave të subjektit në fjalë.
2) Poashtu, në raportet e auditorëve me shumë shqetësim konstatohet që asjëra nga partitë politike të lartëcekura nuk kanë aplikuar ndonjë procedurë të tenderimit për blerjet e kryera, që bie në kundërshtim me dispozita ligjore në vend.
Respektimi i procedurave të tenderimit do të mundësonte një shfrytëzim më efikas, ekonomik, transparent, dhe të drejtë të fondeve të subjektit politik.
Prania e një praktike të tillë tregon neglizhencën e subjekteve politike për aplikimin e ligjeve që kanë për qëllim transparencën financiare, për mungesën e së cilës ato kritikohen vazhdimisht.
3) Auditori poashtu konstaton që subjektet e lartëcekura nuk kanë paraqitur dokumentacion mbështetës për vlera të larta të shpenzimeve të deklaruara të fushatës për 2017.
· Konkretisht, në rastin e AAK vlera e këtyre shpenzimeve të pa dokumentuara është më e larta, e cila arrinë vlerën €202,012. Ajo ndjeket nga LDK me €185,800 dhe PDK me €150,006.
· Në rastin LVV, edhe pse auditori nuk paraqet një vlerë të caktuar, edhe ky subjekt politik nuk ka paraqitur dokumentacion mbështetës përkatës për shpenzimet e ushqimit, komunikimit dhe karburantit.
· Ngashëm/për më tepër, në mungesë të konfirmimit nga palët e treta dhe dokumenteve mbështetëse, raportet e auditorit poashtu nuk ka arritur të arsyetojnë vlerat e detyrimeve të subjekteve politike si në vijim; €741,776 (PDK); €312,413 (LVV); €212,056 (AAK).
· Ndërsa LDK, nga konfirmimet e pranuara nga palët e treta ka nënvlerësuar detyrimet në vlerë €12,271.
4) Në përjashtim të LVV-së, raportet e auditorit identifikojnë shkelje të dispozitave ligjore të Ligjit 04/L-212 për Financim e Subjekteve Politike nga të gjitha subjektet tjera të audituara. Këto shkelje kategorizohen si më poshtë;
a) Në kundërshtim me nenin 17 të Ligjit për Financim e Subjekteve Politike i cili rregullon kontrollin e brendshëm financiar, Statutet e PDK-së, AAK-së dhe LDK-së nuk parashohin struktura përkatëse të kontrollit të brendshëm financiar.
b) Në kundërsthim me nenin 4.3 të Ligjit për Financim e Subjekteve Politike, i cili parasheh se të gjitha subjektet politike duhet të kenë vetëm një llogari bankare në njërën nga bankat komerciale, raportet gjejnë se LDK ka të hapur më shumë se një llogari bankare, kurse AAK ka të hapur një llogari dhe 27 nënllogari në kuadër të saj.
c) Në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit për Financimin e Subjekteve Politik, AAK ka pranuar donacione në mallra dhe shërbime me vlerë mbi €1,000 nga persona fizik, dhe €5,000 nga persona juridik.
Duke marrë për bazë të gjeturat e Auditorit, GLPS kërkon nga organet kompetente që t’i adresojnë të gjeturat në fjalë dhe atë duke ndërmarr veprimet në vijim:
1. KQZ të gjobisë subjektet në fjalë konform rregullave në fuqi, si dhe të hartojë aktet tjera nënligjore që rregullojnë dënimet për ato subjekte politike që sipas vlerësimeve të auditorëve nuk kanë qenë në gjendje të respektojnë standardet e mirë-menaxhimit financiar.
2. Prokuroria e Shtetit të hetoj të gjitha rastet në të cilat subjektet politike nuk mund të mbështesin/dokumentojnë shpenzimet, si dhe ato/ata kompani/individ që janë bashkëpjesmarrës në shkeljet e Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike dhe financimit të paligjshëm të tyre.
Poashtu, rregullat që u ndalojnë pjesëmarrjen në tender publik personave jurdik që kanë kontribuar për partitë politike duhet të marrin vëmendje të veçantë.
3. Komisioni Palralmetar duhet t’i publikojë të gjitha raportet e auditorit, duke ua rikujtuar në të njëjtën kohë që nuk ekziston asnjë arsye që ato të mbesin të mbyllura.
4. Subjektet politike duhet që sa më parë të adresojnë shkeljet e identifikuara, dhe duke njohur përgjegjësinë e tyre publike, pa hezitim, të tregojnë që janë në gjendje të mirë-menaxhojnë financat e tyre, Ky mbetet kusht themelor për të filluar ndërtimin e besimit të publikur ndaj tyre.