16 Janar 2025

Auditimi, problemet kryesore nëper ministri janë prokurimet

Prishtinë, 27 shkurt - Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga Ali Sadriu, u shqyrtuan raportet kthyese të Organizatave Buxhetore, sipas kërkesës së Komisionit që të bëjnë plan veprimi.

Objekt shqyrtimi ishin raportet kthyese të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ministrisë së Infrastrukturës, si dhe Organit Shqyrtues i Prokurimit.

Fillimisht para anëtarëve të komisionit foli zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Auditorit Gjeneral, Artan Venhari lidhur me implementimin e rekomandimeve të dala nga Zapi-, bazuar ne raportet e Planit të Veprimit të këtyre institucioneve.

Venhari tha se organizatat buxhetore i kanë dërguar planet e veprimit në auditimin e ndërmjetëm për pasqyrat financiare nëntë mujore, duke sqaruar se cilat rekomandime janë adresuar për çështjet që janë ngritur.

Sa i përket raportit kthyes të MBP-së, Venhari tha se vitin e kaluar kjo ministri ka pasur 11 rekomandime.

Duke theksuar faktin se nuk kanë qenë të kënaqur për adresimin e rekomandimeve brenda nëntë mujorit, theksoi se kjo mund të ndryshohet pas përfundimit  të 3 muajve të tjerë, meqë janë në proces të auditimit.

“Nëntë rekomandime janë testuar, prej të cilave tetë janë adresuar pjesërisht dhe një nuk është adresuar”, theksoi ai duke shtuar se megjithatë janë vërejtur përmirësime.

Zv.auditori Venhari tha se ndër problemet kryesore ka qenë prokurimi dhe se për këtë çështje është përmendur suspendimi i menaxherit të prokurimit, ndërsa përmirësim është vërejtur në procesin e vlerësimit të ofertave brenda MPB-së.

Me këtë rast Ali Sadriu tha se inkurajon këtë ministri që të vazhdojnë akoma me zbatimin e rekomandimeve dhe të tejkalohen të gjeturat të cilat janë konstatuar.

Nënkryetari  i komisionit, Ramiz Lladrovci duke përgëzuar këtë ministri për veprimet e ndërmarra në zbatimin e rekomandimeve të dala nga ZAP-i për pasqyrat vjetore financiare tha se ZAP-i duhet t’i përcjellë zbatimet tjera të cilat janë në proces dhe që akoma nuk janë kryer.

Ndërsa, anëtari i komisionit Imri Ahmeti tha se problem mbetet çështja e pajisjeve për prodhimin e pasaportave biometrike dhe veprimi që ka paraparë kjo ministri.

Ai tha se është shumë me rëndësi që të shihet cilësia e masave dhe masat që ndërmerren  për të përmirësuar dhe implementuar një rekomandim të caktuar të ZAP-it.

Anëtarja e komisionit, Valbona Dibra për raportin kthyes të MPB-së, tha se ministria  ka marrë masat e duhura rreth raportit të ZAP-it, si dhe për gjendjen se krijuar kohëve të fundit në MPB.

“Kjo ministri ka bërë hapin e duhur për suspendimin e zyrtarit të prokurimit dhe presim veprimet dhe rezultatet e mëtejme”, tha Dibra.

Anëtarët e komisionit i rekomanduan ZAP-it që të bëjë raport të veçantë për Policinë e Kosovës në mënyrë që të trajtohet si njësi në vete, si dhe t’i përcjellë implementimet e rekomandimeve të MPB-së.

Anëtarët e komisionit shqyrtuan edhe Planin e Veprimit  të Ministrisë së Infrastrukturës, me ç‘rast ata patën kërkuar nga ministri Mujota që komisionit t’i ofrohen kopjet e shtatë kontratave, të cilat janë nën hetim nga ana e EULEX-it dhe për të cilat ZAP-i nuk ka kryer auditim.

Ali Sadriu tha se nuk mund t’i bëhet analizë planit të veprimit pa këto kontrata dhe se objekt hetimi duhet të jetë edhe procesi i dhënies së patent shoferëve. “”Kërkoj që në këtë drejtim të ketë hulumtim më të thelle gjatë procesit të auditmit”, tha Sadriu.

Zv Auditori i Përgjithshëm Artan Venhari tha se Plani i Veprimit të  Ministrisë së Infrastrukturës  brenda nëntë mujorit ka rezultuar me këto të dhëna. Prej 10 rekomandimeve nga viti paraprak që më është dashur  t’i adresojë , vetëm 3 sosh janë implementuar në tërësi, ndërsa 2 rekomandime janë në proces të implementimit dhe 5 sosh nuk janë adresuar. Megjithatë një pamje të plotë ZAP-i nuk mund të jap akoma meqë janë në proces të auditimit.

Anëtari i komisionit Adem Grabovci sa i përket kopjeve të kontratave të cilat janë nën hetim të EULEX-it dhe të cilat janë kërkuar nga komisioni tha se në këtë rast duhet të bëhet një përjashtim ngase derisa kjo çështje  është nën hetim të gjyqësorit nuk na lejohet sepse mund ta dëmtojmë procesin gjyqësor.
Anëtarët e komisionit kërkuan nga ZAP-i të shikohet zbatueshmëria e rekomandimeve nga ana e kësaj ministrie.

Më tej anëtarët e komisionit shqyrtuan edhe raportin kthyes të  Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, me theks të veçantë që ka të bëjë me tekstet shkollore dhe ndërtimin e shkollave.

Zv. Auditori Gjeneral, Artan Venhari tha se në periudhën nëntë mujore prej 7 rekomandimeve të cilat janë ngritur kjo ministri dy sosh i ka plotësuar në tërësi, tri rekomandime janë në proces të implementimit, ndërsa dy rekomandime nuk i ka adresuar brenda kësaj periudhe.

Kjo, sipas tij mund të ndryshojë meqë janë në proces të auditimit për tre mujorin e fundit.
 
“Kemi gjetur mangësi shumë të mëdha se si ministria e ka adresuar çështjen e librave shkollorë. Janë përsëritur gabimet e njejta nga viti paraprak”, tha Venhari, ndërsa sa i përket raportit kthyes të OSHP-së, Venhari tha se krahasuar me vitin e kaluar, nga 8 rekomandime,  2 janë implementuar plotësisht, 4  sosh pjesërisht, një fare,  ndërsa një rekomandim është duke u testuar.

Gjatë auditimit të ndërmjetëm të OSHP-së kemi vërejtur lëvizje pozitive.  “OSHP ka marrë  seriozisht rekomandimet e ZAP-it dhe ka treguar gatishmëri që t’i zbatojë dhe të merret me proceset e brendshme.”


Krejtësisht në fund anëtarët e komisionit sa u përket këtyre planeve të veprimit të këtyre institucioneve kërkuan nga ZAP-i që ti’i përcjellë të gjitha rekomandimet dhe zbatimin e tyre, si dhe ta njoftojë komisionin për këto çështje.

Më tej anëtarët e komisionit diskutuan edhe rreth përzgjedhjes së auditorit të jashtëm për auditimin e pasqyrave vjetore financiare të ZAP-it, për vitin 2012.

Ata kërkuan sqarime nga drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme për çështje ligjore dhe procedurale, Daut Beqiri,  rreth dilemave  nëse paraqet ndonjë pengesë ligjore që anëtarët e komision mund të jenë edhe anëtarë të komisionit për vlerësimin e ofertave në fjalë.

 Pas sqarimeve se kjo nuk paraqet pengesë ligjore, anëtarët e komisionit u dakorduan se që nga viti tjetër me këtë të merret stafi i Administratës së Kuvendit të Kosovës, ndërkaq, këtë vit do të merren anëtarët e komisionit, meqë kjo nuk paraqet shkelje procedurale.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)