ATK vazhdon me ndëshkimin e lojërave të fatit të cilat nuk respektojnë ligjin
Prishtinë, 11 mars - Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se Divizioni i Lojërave të Fatit, gjatë javës së shkuar nga vizitat e rregullta në teren, por edhe nga informacionet e pranuara nga qytetarët ka zhvilluar 30 aktivitete, ku si rezultat janë mbyllur 11 lokale të lojërave të fatit, të cilat aktivitetin e tyre e kanë zhvilluar duke mos ju përmbajtur kritereve të Ligjit për Lojërat e Fatit.
Nga parregullsitë e konstatuara sipas ATK-së janë lëshuar 13 gjoba, në vlerë 54,000 euro, përveç gjobave janë konfiskuar edhe 2 pajisje të kësaj veprimtarie.
"Divizioni i Lojërave të Fatit, do të vazhdoj me aksione të tilla në çdo kohë, bazuar në autorizimet që i jep Ligji Nr.04/L-080, për Lojërat e Fatit."
"Gjithashtu, i bëjmë thirrje qytetarëve që të raportojnë në ATK, rastet për të cilat dyshohen se ushtrojnë veprimtarin e lojërave të fatit jashtë ligjshme", thekson ATK.