ATK vazhdon me modernizimin e proceseve
Prishtinë, 13 korrik - Administrata Tatimore e Kosovës në mënyrë që të ketë trajtim të barabartë për të gjithë tatimpaguesit, ka vazhduar me zhvillimin e projekteve të reja të cilat do të ndihmojnë në realizimin e misionit të saj.
Projekti më i ri i cili është funksionalizuar tërësisht është Zyra për Gjoba dhe Ndëshkime Administrative ZGJONA, i cili është përgjegjës për shqyrtimin e shkeljeve tatimore, përkatësisht të gjobave dhe ndëshkimeve konform legjislacionit tatimor në fuqi.
Qëllimi i këtij projekti është trajtimi i barabartë i gjithë tatimpaguesve përmes një trajtimi objektiv, rritjen e besimit ndaj ATK-së, si dhe zvogëlimin e rrezikut ndaj dukurive negative gjatë punës, dhe rritjes së transparencës në zbatimin e ligjeve tatimore. Gjithashtu, kjo qasje ka ndikuar në ngritjen e efikasitetit përmes specializimit të stafit. Rezultatet e deritanishme kanë treguar zhvillim progresiv të këtij projekti i cili ka rezultuar me zgjerim në të gjitha zyrat regjionale.
Përmes këtij projekti është arritur që të ngritën aftësitë shërbyese të ATK-së drejtë një administrate moderne, ku e rëndësishme është ndarja e fushave të veprimit, ndarja organizative dhe centralizimi i caktuar aty ku vlerësohet që është i arsyeshëm.
Krijimi i Zyrës për Gjoba dhe Ndëshkime Administrative-ZGJONA është inspiruar nga strukturat organizative të Administratës Tatimore të Bavarisë-Gjermani, i adaptuar në rrethanat e Kosovës.
Inkurajojmë të gjithë tatimpaguesit që ti kryejnë obligimet e tyre, në mënyrë që të shmangin ndërmarrjen e veprimeve të tilla nga ATK, për të cilat është e detyruar me ligj ti ndërmerr pas shterjes së të gjitha mundësive tjera për inkasimin e borxhit.