ATK, vazhdon mbylljen e lojërave të fatit të palicencuara
Prishtinë, 14 mars - Drejtorati i Lojërave të Fatit në kuader të Administratës Tatimore të Kosovës me asistim të Policisë së Kosovës - Njësia e Krimeve Ekonomike dhe Inspektoratit Komunal të Pejës, prej datës 3 Marsi deri më 5 mars, kanë zhvilluar aksionin për mbylljen e subjekteve dhe njësive të pa licencuara që merren me aktivitete të Lojërave të Fatit (LF) në Komunën e Pejës.
Një aksion i tillë është ndërmarrë si rezultat i një bashkëpunimi në mes ATK-së, PK-së dhe Inspektoratit Komunal me të vetmin qëllim, zbatimin e plotë të Ligjit Nr. 2004/35, për Lojërat e Fatit.
Si rezultat i këtij aksioni është realizuar mbyllja e 22 (njëzetë e dy) subjekteve të Lojërave të Fatit në Komunën e Pejës, dhe janë ndëshkuar 3 subjekte, 2 subjekte me nga 5.000 euro dhe 1 subjekt me 35.250 euro, e gjitha kjo si rezultat i mosrespektimit të Ligjit Nr. 2004/35.
Aktivitete të tilla të planifikuara dhe të koordinuara në mes ATK-së, PK-së dhe Inspektoratit Komunal, janë planifikuar të vazhdojnë edhe në të ardhmen, duke mbuluar kështu gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Administrata Tatimore e Kosovës, është e përkushtuar dhe e palëkundur në qëndrimet e saj në zbatimin e plotë të Ligjit për Lojërat e Fatit, me të vetmin qëllim vënien e rendit dhe rregullit të plotë në këtë kategori të subjekteve ekonomike.
Gjithashtu, ATK-ja, ka për synim që të ngritë shkallën e bashkëpunimit me shumë institucione të tjera që merren me zbatim të ligjit, në mënyrë që sa më shumë të ndikojë në uljen e ekonomisë informale.