ATK realizoi seminaret me tatimpagues
Prishtinë, 10 mars - Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka përmbyllur seminaret e organizuara me tatimpagues në të gjitha regjionet, si Ferizaj, Prishtinë, Pejë, Gjilan, Gjakovë, Mitrovicë dhe Prizren.
Temat të cilat u prezantuan/trajtuan në këto seminare, ishin: Formulari i deklarimit vjetor dhe pagesës për Tatimin në të Ardhura Personale PD, Formulari i deklarimit vjetor dhe pagesës për Tatimin në të Ardhura të Korporatave CD, Formulari i deklarimit vjetor nga Ortakëria DO, Raportimi i blerjeve mbi 500 , Tatimi i Mbajtur në Burim dhe Procedurat e Rimbursimit të TVSh-së.
Qëllimi i mbajtjes së këtyre sminareve ishte prezantimi i mënyrës së deklarimit vjetor, duke përfshirë: deklarimin dhe pagesën e Tatimit në të Ardhurat Personale, deklarimin dhe pagesën e Tatimit në të Ardhurat e Korporatave, deklarimin e të Ardhurave nga Ortakëritë, Raportimin e Blerjeve mbi 500, Tatimin e Mbajtur në Burim dhe Procedurat e Rimbursimit të TVSh-së.
Tatimpaguesit, u njoftuan gjerësisht për mënyrën e deklarimit vjetor të Formularëve PD, CD, DO, me çrast janë pasqyruar edhe shembujt praktik për plotësimin e drejtë të këtyre deklaratave.
Gjithashtu, edhe për Raportimin e blerjeve mbi 500 euro, Tatimin e Mbajtur në Burim dhe Procedurat e Rimbursimit, janë shpalosur shembuj të ndryshëm, në mënyrë që të eliminohen gabimet gjatë aplikimit të këtyre proceseve.
Njëherësh, tatimpaguesit u informuan për risit e Sistemit Elektronik EDI, i cili që nga data 03 Mars 2014, mundëson Deklarimin Vjetor, në mënyrë elektronike për periudhën 2013, si: Formulari i deklarimit vjetor dhe pagesës për Tatimin në të Ardhura Personale PD, Formulari i deklarimit vjetor dhe pagesës për Tatimin në të Ardhura të Korporatave CD.
Gjatë këtyre seminareve, pjesëmarrësit parashtruan pyetje të ndryshme, lidhur me temat e prezantuara, si dhe pyetje të tjera lidhur me Legjislacionin Tatimor. Për të gjitha pyetjet e parashtruara nga pjesëmarrësit, janë ofruar përgjigje adekuate nga prezantuesi i seminareve, Sami Salihu Menaxher i Shërbimit dhe Edukimit të Tatimpaguesve.
Pjesëmarrësve u janë shpërndarë materiale informuese nga ATK, si: Doracak me pyetje pergjigje, Fletëpalosjet: Të drejtat dhe obligimet e Tatimpaguesit, Informata të Përgjithshme për Administratën Tatimore të Kosovës, Pyetje Përgjigje për TVSh, TAK, TAP, Informata për Borxhin Tatimor, Udhëzues mbi paraqitjen e informacioneve mbi Evazionin tatimor, Korrupsionin apo sjelljet jo të mira të stafit të ATK-së, gjithashtu janë shpërndarë edhe Kalendar Tatimor 2014, në të cilin përfshihen afatet e dorëzimit të deklaratave dhe llojet e tatimeve, etj.
Në këto seminare numri i të interesuarve ishte mjaft i lartë, ku pjesëmarrës ishin: tatimpaguesit, organizata biznesi, OJQ apo përfaqësues të tyre, si dhe përfaqësues të njësive të përhershme, kontabilist dhe qytetarë të interesuar.