20 Nëntor 2024

ATK prezantoi produktin e ri elektronik - vërtetimi tatimor

Prishtinë, 28 qershor - Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), tani mundëson edhe një shërbim të ri elektronik “on-line”,  ku përmes web-faqes së ATK-së, mundësohet pajisja me Vërtetim Tatimor për Personat Fizik.

Me këtë rast ATK ka mbajtur seminare me tatimpagues në të gjitha Regjionet e saj, si: Gjilan, Mitrovicë, Ferizaj, Prizren, Gjakovë, Prishtinë dhe Pejë.

Qëllimi i këtyre seminareve ishte prezantimi i mënyrës së Pajisjes me Vërtetim Tatimor në mënyrë elektronike, si dhe mënyra e bërjes së kërkesës për Marrëveshje për pagesën e Borxheve me Këste.

Në kuadër të këtyre seminareve u tha se Vërtetimi Tatimor i lëshuar në formë elektronike nga ATK, do të jetë dokument i plotfuqishëm, ndërsa vërtetësia e përmbajtjes së këtij dokumenti, do të mund të verifikohet përmes adresës elektronike  të ATK-së http://evertetimi.atk-ks.org.

Vërtetimi Tatimor është dokument i cili tregon gjendjen aktuale tatimore të tatimpaguesit, i lëshuar nga ATK dhe i cili do të shfrytëzohet për qëllime të ndryshme, si: Aplikim për vizë; Lirim nga shtetësia; Vazhdim i lejes së qëndrimit në Kosovë; Pushim të lehonisë; etj.

Një vërtetim i tillë do të lëshohet varësisht nga gjendja e tatimpaguesit në ATK dhe atë, me njërën nga këto tri arsyeje:

· Personi është i regjistruar në ATK dhe NUK ka borxhe aktuale tatimore të pashlyera apo obligime tjera tatimore;

· Personi është i regjistruar në ATK dhe KA borxhe tatimore apo obligime tjera tatimore të pa shlyera dhe

· ATK nuk ka shënime për personin.

Vlen të theksohet se përveç prezantimit në këto seminare është bërë edhe demonstrimi praktik se si bëhet regjistrimi i personit fizik në sistemin on-line të ATK-së, kërkesa për vërtetimin tatimor, marrja e vërtetimit tatimor, verifikimi i vërtetimit tatimor.

Po ashtu, gjatë këtyre seminareve tatimpaguesit u njoftuan se sa i’u përket personave të tjerë (biznes) individual dhe atyre juridik edhe më tutje do të vazhdojnë të pajisen me Vërtetim Tatimor, mirëpo, kjo do të jetë e mundur vetëm në formën fizike, si: Aplikim për Tender; Vizë; Çregjistrim të biznesit; Lirim nga shtetësia; Vazhdim i lejes së qëndrimit në Kosovë;  Pushim të lehonisë; etj.

Edhe vërtetimet e tilla, tani do të jenë identike me ato të lëshuara në mënyrë elektronike, pra nuk do të posedojnë vulë / nënshkrim dhe të njëjtat mund të verifikohen përmes adresës elektronike  të lartcekur. ATK, së shpejti do të mundësojë pajisjen me vërtetim tatimor edhe për bizneset në mënyrë elektronike, mirëpo, kjo do të mundësohej përmes sistemit elektronik - EDI.

Gjithashtu, në këto seminare është prezantuar edhe mënyra e plotësimit të kërkesës per marrëveshje për pagesën e borxheve me këste dhe dorëzimi i saj.

Përveç prezantimit, pjesëmarrësve në mënyrë elektronike u janë shpërndarë materiale, si Njoftimi për pajisjen me Vërtetimin Tatimor në mënyrë elektronike, po ashtu edhe Udhëzimi për të përdorur ueb-aplikacionin për pajisen me vërtetim tatimor.

Gjatë këtyre seminareve, pjesëmarrësit kanë parashtruar pyetje të ndryshme, lidhur me temat e prezantuara, pyetje të tjera lidhur me Legjislacionin Tatimor, si dhe zhvillimet në raport me tatimpaguesit. Për të gjitha pyetjet e parashtruara nga pjesëmarrësit, janë ofruar përgjigje adekuate.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)