ATK për herë të parë me plan specifik kundër korrupsionit
Prishtinë, 28 shkurt - Rritja e llogaridhënies është faktori kyç që Administrata Tatimore e Kosovës është duke punuar vazhdueshëm në fuqizimin e saj. Në drejtim të kësaj ATK për herë të parë ka hartuar Planin Kundër Korrupsionit për Administratën Tatimore të Kosovës.
Ky plan është përmbledhje e objektivave të rëndësishme që realizon ATK në luftimin e korrupsionit dhe përmban aktivitetet që synohen të realizohen gjatë vitit 2023. PKK përmbledhë katërmbëdhjetë pika, të cilat do të implementohen përmes tij.
Parimi i proporcionalitetit përfshinë aktivitetet tona të cilat janë të bazuara në rrezikun e paraqitur, e që nënkupton ushtrimin e autoritetit vetëm atëherë kur është e domosdoshme dhe vetëm deri në nivelin që nevojitet për të arritur objektivat legjitime, dhe kjo me mjete dhe metoda të përshtatshme.
Plani mbështetet në legjislacionin aktual dhe përfshinë objektivat e përgjithshme dhe objektivat specifike nga tri dokumentet strategjike të punës.
Përmes këtij plani synohet rritja e bashkëpunimit me institucione kompetente për luftimin e korrupsionit, rritja e llogaridhënies, rritja e transparencës, zvogëlimi i diskrecionit të zyrtarëve të ATK.
Po ashtu, plani parasheh edhe masa edukuese për parandalimin e sjelljeve të këqija, parandalimin e konfliktit të interesit, si dhe rritjen e bashkëpunimit me qytetarët dhe OJQ që parandalojnë korrupsionin.
Si ndër më të rëndësishmet në këtë dokument, është hetimi i punonjësve të ATK-së që keqpërdorin pozitën zyrtare, për të cilët parashihet inicimi i rasteve për trajtim në organet kompetente.