ATK për 7 javë mbledh të hyra në vlerë 48,5 milion euro
Prishtinë, 22 shkurt - Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka bërë të ditur së nga 1 Janari deri më 22 Shkurt 2012 ka vjelë të hyra në vlerë 48,5 milion euro për buxhetin e Republikës së Kosovës.
Me këtë trend të të hyrave është realizuar 17% nga totali i planit vjetor, i cili është 287,8 milionë euro, apo rreth 6% më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar, shuma me e lartë e vjelë gjatë tri viteve të fundit për të njëjtën periudhë.
Drejtori i ATK-së Behxhet Haliti ka thënë qe sigurisht se sukseset e vazhdueshme bazohen në baza të shëndosha të ndërtuara vit pas viti dhe punë të zellshme të stafit të ATK-së. Duke ofruar shërbime sa më të mira dhe duke krijuar barazi për të gjithë tatimpaguesit.
Përkundër vështirësive që sfidojnë, ATK sipas Halitit është e vendosur të vazhdojë me përkushtimin më të madh të realizojë suksese të mëtutjeshme në misionin e saj, në ngritjen e përmbushjes vullnetare duke respektuar kornizat ligjore.
"Ky trend është arritur fal punës së palodhshme të stafit të ATK-së, të cilët gjatë gjithë vitit paraprak kanë punuar në ngritjen e kapaciteteve vepruese, zhvillimin e projekteve të reja, grumbullimin dhe përpunimin e informatave, rritjen e kualitetit të shërbimeve ndaj tatimpaguesve si dhe ofrimin e lehtësirave tjera për kryerjen e obligimeve tatimore në mënyrë vullnetare", ka theksuar Haliti.
ATK-ja, në vazhdimësi do të bëj përpjekje në ngritjen e përmbushjes vullnetare, duke ofruar shërbime profesionale, transparente dhe efektive, në zbatim të drejtë dhe të njëllojshëm të ligjeve tatimore.