ATK modernizon sistemin kompjuterik
Prishtinë, 1 tetor - Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka bërë të ditur së me qëllim që tu ofrojë tatimpaguesve kushte më të lehta në përmbushjen e obligimeve të tyre tatimore dhe në mënyrë që të rrisë efikasitetin e mbledhjes së tatimeve, që nga data 1 Tetor do të bëjë ngritjen dhe modernizimin e sistemit kompjuterik.
Që nga kjo datë, për të shkarkuar Deklaratat Tatimore nga web faqja e ATK-së www.atk-ks.org si dhe për të gjitha Deklarimet apo Raportimet e tjera në ATK, secili tatimpagues do të jetë i obliguar që të shfrytëzojë vetëm Numrin Fiskal, që do të thotë se Numri i Biznesit apo Numri Identifikues që nga kjo datë nuk do të mund të përdoren për raportime tatimore.
Gjithashtu, Administrata Tatimore e Kosovës që nga 1 korriku 2010 ka filluar zbatimin e Ligjit të ri Nr. 03/L-146 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Me këtë Ligj kanë ndryshuar procedurat për Regjistrim dhe Çregjistrim në TVSH. Si pasoj e kësaj, ATK ka ndryshuar edhe Certifikatat për Regjistrim në TVSH.
Tani e tutje do të ketë vetëm dy lloje të certifikatave e që do të jenë: Çertifkata për regjistrimin në TVSH e cila do ti lëshohet Personit të Tatueshëm për TVSH i regjistruar me arritjen e pragut për Regjistrim apo në mënyrë vullnetare, si dhe Çertifkata për import dhe eksport e cila do ti lëshohet të gjithë personave të cilët dëshirojnë të përfshihen në veprimtari Importi apo Eksporti por të cilët nuk do të jenë Persona të Tatueshëm për TVSH.
Procesi i lëshimit të certifikatave të reja do të fillojë që nga data 1 Tetor, prandaj të gjithë ata që kanë certifikata të Regjistrimit për TVSH të lëshuara më herët nga ATK, të lajmërohen në ATK për të bërë ndërrimin e tyre. Procesi i ndërrimit të tyre do të vazhdojë deri më 30 nëntor 2010.
Që nga Tetori, ATK gjithashtu do të bëjë edhe modernizimin e faqes së internetit, duke e bërë më të lehtë përdorimin dhe shfrytëzimin e informatave dhe formularëve, si dhe duke pasur parasysh që të gjitha Deklaratat për Tatim mund të shkarkohen vetëm nëpërmjet faqes së internetit e cila është www.atk-ks.org.