ATK mban seminar te përbashkët me Drejtorinë Tatimeve të Shqipërisë
Prishtinë, 14 nëntor - Është mbajtur seminari i përbashkët mes Administratës Tatimore të Kosovës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të Shqipërisë, lidhur me Transferimin e Çmimit.
Qëllimi i këtij seminari ishte shkëmbimi i përvojave në fushën e transferimit të çmimit, aspekti i bazës ligjore dhe i përgatitjes së dokumentacionit të Transferimit të Çmimit.
Ky seminar është organizuar nga organizata Price Waterhouse Coopers, dega në Kosovë dhe Shqipëri dhe përmes eksperteve vendor dhe ndërkombëtar të kësaj fushe, janë prezantuar tematikat specifike dhe sfidat në këtë fushë. Gjithashtu, janë prezantuar edhe përvojat e autoriteteve tatimore të vendeve të rajonit, të cilat kanë qenë të dobishme në sqarimin e mëtejmë të transferimit të çmimit.
Si pika kryesore të cilat u trajtuan gjatë seminarit ishin; dokumentacioni i transferimit të çmimit, analiza funksionale, metodat e transferimit të çmimit, zgjedhja e palës së testuar, si dhe analiza e krahasueshmerisë.
Nevoja për të organizuar një seminar të tillë dhe për të zhvilluar bazën ligjore lidhur me këtë fushë, ka lind me rritjen e rolit të kompanive shumëkombëshe në tregtinë botërore, rritje kjo e cila konsiderohet tejet e madhe në 25 vitet e fundit.
Baza ligjore e Transferimit të Çmimit në Kosovë konsiderohet se përmbush kërkesat e detajuara në Kodin e Sjelljes të Bashkimit Evropian (BE). Gjithashtu, janë përfshirë edhe një pjesë e madhe e praktikave nga raportet BEPS të OECD.
Administrata Tatimore e Kosovës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në Shqipëri kanë bashkëpunim të ngushtë në fusha tatimore të ndryshme.