ATK ka inkasuar 382 milion euro
Prishtinë, 23 dhjetor - Administrata Tatimore e Kosovës ka mbajtur sot konferencë për mediat, në të cilën ka prezantuar të arriturat gjatë vitit 2016.
Si çdo vit tjetër edhe këtë vit, ATK ka qenë e koncentruar në realizimin e të hyrave, ku deri më tani si rezultat i një sistemi të fuqishëm të menaxhimit të përmbushjes, implementimit të planit vjetor për Trajtimin e Rreziqeve dhe me një proces të planifikimit të aktiviteteve operative janë inkasuar 382 milion euro deri më sot, që krahasuar me vitin 2015 janë realizuar 17.4 %, ose 56 milion euro më shumë.
Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Sakip Imeri gjatë kësaj konferenca tha se janë zhvilluar aktivitete parahetimore, bastisje, asistime të ndryshme për Policinë dhe Doganën, të cilat kanë rezultuar mjaftë të suksesshme në luftimin e evazionit fiskal.
Nga hetimet e zhvilluara ndaj subjekteve të cilat i janë shmangur tatimit kemi shumën prej 1,4 milion euro, gjithashtu si rezultat i këtyre hetimeve tatimore kemi ulje të kreditimi të TVSH-së afro 1 milion euro dhe zvogëlim të humbjes 1,7 milion euro. Shmangia tatimore është mbi 2,9 milion euro. Nga 378 aktivitete të kryera, përfshi edhe estradën janë inkasua me shumë se 0.6 milion euro.
Zhvillimet në ATK janë të orientuara në përsosjen e shërbimeve për tatimpaguesit, të cilat janë në harmoni me praktikat më të mira ndërkombëtare (kjo është shprehur edhe vlerësimet e raporteve ndërkombëtare).
Në Raportin e Bankës Botërorë për të Bërit Biznes 2017, thuhet se Kosova ka bërë që tatimet të paguhen më lehtë, duke lancuar sistemin online të deklarimit dhe pagesës së tatimeve dhe ka bërë që pagesa e tatimeve të jetë me kosto me të ulët në kryerjen e obligimeve tatimore. Në këtë raport thuhet se pagesën e tatimeve nga pozita 77 është ranguar në pozitën e 43 ose për 34 vende më mirë, në aspektin e tatimeve.
Edhe gjatë këtij viti ka vazhduar implementimi i ligjit për faljen e borxheve publike ku deri me tani borxhi i falur është në vlerë mbi 216 milion euro, ndërsa borxhi i inkasuar është në vlerë mbi 24 milion euro.
z. Imeri ndër tjera, tha se do të vazhdojmë me implementimin e Strategjisë së Përmbushjes së ATK-së 2015-2020, që na orienton për trajtimin e rreziqeve bazuar në segmentimin e tatimpaguesve deri në vitin 2020, krahas kësaj edhe ngritja e kapaciteteve në fushën e menaxhimit të rrezikut. Zbatimi i strategjisë për parandalimin dhe luftën kundër ekonomisë joformale. Po ashtu, do të vazhdojmë me aktivitete shtesë në gjithë-përfshirjen në procesit të fiskalizimit.