08 Nëntor 2024

ATK-ja për 17 vjet dha kontribut të madh për zhvillimin e vendit

Prishtinë, 17 janar - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 17 vjetorit të themelimit të Administratës Tatimore të Kosovës.

Kryeministri Mustafa vlerësoi lartë reformat e zbatuara nga Administrata Tatimore e Kosovës në përmirësimin e shërbimit për tatimpaguesit, e që janë reflektuar edhe në ngritjen e rangimit të Kosovës në Raportin e Bankës Botërore “Të Bërit Biznes”.

Kryeministri ka bërë të ditur se si rezultat i punës së këtij institucioni, është ndikuar që Kosova të ngrihet lart për 34 pozita në këtë rangim.

“Unë kam kënaqësi të veçantë që t’ju uroj këtë 17-vjetor të themelimit të Administratës Tatimore të Kosovës, që konsideroj se është një prej institucioneve më të rëndësishme të Republikës së Kosovës. Ky 17 vjetor i themelimit të Administratës Tatimore është edhe një shënim i 17 vjetëve të avancimit të punës së suksesshme që ju e keni bërë në këtë institucion tepër të rëndësishëm. Po ashtu, vlerësoj se kemi një kontribut të veçantë të Administratës Tatimore qoftë në ofrimin e shërbimeve për tatimpaguesit e Republikës së Kosovës, qoftë të ndërtimit të një sistemi të avancuar në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe në interes të bizneseve të Kosovës”, tha kryeministri.

Më tej, kryeministri Mustafa tha se administrata ka përmbushur një rol tepër të rëndësishëm të objektivave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të cilat nuk ndërlidhen vetëm me forcimin e stabilitetit financiar dhe buxhetor të Republikës së Kosovës, por edhe në krijimin e kushteve të tregut të barabartë për të gjitha bizneset, duke eliminuar evazionin fiskal dhe duke siguruar kushte të barabarta në treg.

“Ne kemi evidentuar edhe sukseset e vazhdueshme të kësaj Administrate në rritjen e të hyrave çdo vit, veç e veç, dhe ne kemi evidencën që në vitin e kaluar kemi pas 16 për qind të hyra më të larta, të arkëtuara se sa që kemi pas në vitin 2015, dhe po ashtu kemi pas një sukses të konsiderueshëm edhe sa i përket kontributeve pensionale që është një indikator tepër të rëndësishëm i yni”, tha kryeministri.

Lansimi i Sistemit të Deklarimit Elektronik, sipas kryeministrit, është një prej të arriturave të mëdha në këtë aspekt.

Duke shprehur konsideratat për stafin e Administratës Tatimore të Kosovës, për menaxhmentin e saj, për punën efikase në ofrimin e shërbimeve për tatimpaguesit, për nivelin gjithnjë e më të lartë të transparencës tatimore, kryeministri tha se për Qeverinë është një tregues shumë i rëndësishëm edhe ulja e vazhdueshme e evazionit fiskal, në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe veriun e Kosovës.

“Edhe atje kemi rezultate inkurajuese, sepse me këtë po krijojmë kushte të barazimit të tatimpaguesve dhe kushte të barazimit të subjekteve ekonomike në treg. Ne kemi pas një vlerësim të lartë edhe të Bankës Botërore përmes indikatorëve të biznesit dhe një konkludim se reformat e implementuara nga Administrata Tatimore e Kosovës, të cilat i kanë përmirësuar shërbimet për tatimpaguesit, janë reflektuar në masë të madhe në ngritjen e rangimit të Kosovës në Raportin e Bankës Botërore \"Të Bërit Biznes\". Këto reforma janë paraqitur përmes Indikatorit \"Pagesa e Tatimeve\", dhe ne na vjen mirë që kjo ka ndodhur këtu si rezultat i një pune të këtij institucioni të rëndësishëm, dhe kjo ka ndikuar që ne të ngritemi lart për 34 pozita të rangimit që është një ngritje tepër e rëndësishme për ne dhe që është një inkurajim që edhe në fushat tjera të bëjmë të arritura të tilla”, tha kryeministri Mustafa, duke uruar suksese dhe duke shprehur përkrahjen e Qeverisë së Kosovës për ATK-në.

Sakip Imeri, drejtor i Përgjithshëm i ATK-së, ka theksuar orientimin që e ka ky institucion për stabilitet të qëndrueshëm buxhetor për Republikën e Kosovës.

Imeri tha se prioritet mbetet përmirësimi i shërbimeve për tatimpagues, transparenca, dhe luftimi i evazionit fiskal.

“Rrugëtimi i ATK-së është shoqëruar me mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të institucioneve të Republikës së Kosovës, tatimpaguesve dhe partnerëve tanë ndërkombëtar. Rezultate në mbledhjen e të hyrave kanë ngritje te vazhdueshme, kështu për 17 vjet janë mbledhur 4,6 miliardë euro të hyra”, tha drejtori Imeri.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës ka lavdëruar percepcionin pozitiv të krijuar për punën e ATK-së, dhe për këtë gjë ka falënderuar Qeverinë për një dialog konstruktiv me sektorin privat.

“Kemi pas një partneritet shumë të mirë me Administratën Tatimore qoftë me hartimin e ligjit, qoftë në pako fiskale, qoftë në ndryshime tjera. Të gjitha këto kishin qenë të pamundura pa një sinkronizim të zërit të biznesit”, tha Gërxhaliu.

Arian Zeka, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka lavdëruar suksesin e arritur të ATK-së.

“Personalisht kam parë një reduktim të ankesave të bizneseve karshi edhe Administratës Tatimore të Kosovës edhe Doganave, dhe uroj që në secilin përvjetor të këtyre dy institucioneve të rëndësishme për mbledhjen e të hyrave të Buxhetit të vendit të dëgjojmë vetëm fjalë të mira, dhe natyrisht sa më pak kritika, edhe pse besoj që kritikat do t’i pranoni me konstruktivet, ashtu siç i shprehim gjithmonë”, tha Zeka. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)