18 Nëntor 2024

ATK-ja mblodhi 80 milionë euro

Prishtinë, 10 prill - Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) gjatë tremujorit të parë të vitit 2014-të ka arritur të grumbullojë të hyra në vlerë mbi 80 milionë euro.

Valentina Bytyqi-Sefa, zyrtare për Komunikim me Publikun në ATK, ka deklaruar për “Epokën e re” se Administrata Tatimore e Kosovës gjatë tremujorit të parë të vitit 2014-t ka vjelë të hyra në vlerë 80.2 milionë euro që, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka rritje të të hyrave për 9 për qind. “ATK-ja ka arritur ta realizojë planin për periudhën janar-mars të vitit 2014-t për 99 për qind”, ka deklaruar Bytyqi-Sefa.

Sa iu përket kontributeve pensionale për tremujorin e parë të këtij viti, Bytyqi-Sefa ka bërë me dije se ato janë në vlerën prej 22.77 milionë eurosh. Kurse kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka deklaruar se shuma e mbledhur mbi 80 milionë euro nga ATK-ja është një model i bashkëpunimit në mes të kësaj administrate dhe sektorit privat.

“Ky avancim i dialogut dhe partneritetit ka dërguar drejt formës së rritjes së të hyrave në ATK krahasuar me vitin e kaluar, por në të njëjtën kohë kjo është edhe një formë e avancimit të partneritetit. Besoj se kjo formë e avancimit të partneritetit do të vazhdohet edhe më tutje”, ka thënë ai.

Sipas tij, është koha kur duhet me të vërtetë që ky partneritet të krijojë efekte pozitive, sepse krahas performancës së Administratës Tatimore, do të krijohen edhe lehtësira për sektorin privat, në veçanti për atë prodhues. “Janë sinjale pozitive, të cilat do të reflektohen pozitivisht në aspektin ekonomik në Kosovë”, është shprehur ai.

Ndërkaq sa iu përket kontributeve pensionale, Gërxhaliu ka deklaruar se në mënyrë graduale siç duket po kalohet nga ekonomia joformale në një ekonomi formale dhe e tëra kjo është ajo çfarë i duhet Kosovës.

“Në përgjithësi është krijuar një qasje e re dhe një vetëdijesim, i cili është model nga ana e komitetit biznesor”, ka thënë Gërxhaliu. I pyetur sa është favorizuese për ekonominë e Kosovës mbushja e buxhetit nga Dogana dhe Administrata Tatimore, Gërxhaliu është përgjigjur se si Odë Ekonomike e kanë kundërshtuar këtë formë të grumbullimit.

“Dua të besoj se me ngritjen e performancës të ATK-së dhe Doganës dhe me vetëdijesimin e sektorit privat në mënyrë graduale duhet të krijohet Agjencia për Buxhetim, me ç’rast do të jetë një shkrije graduale e këtyre agjencive. Duke u bazuar në përvojën evropiane dhe në fakte të tjera, në qoftë se do të kemi implementim të mirëfilltë të marrëveshjeve bilaterale dhe atyre multilaterialke, atëherë vetvetiu lind pyetja çfarë na duhet dogana. Është koha kur duhet të kemi mbështetje më të madhe të Administratës Tatimore, por krahas kësaj mbështetje edhe në themelimin e Agjencisë për Buxhetim”, ka thënë ai.


I kontaktuar nga gazeta, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka deklaruar se ATK-ja brenda këtyre tre muajve ka pasur një performancë relativisht të mirë dhe bashkëpunuese me bizneset.

“ATK-ja nuk mund të inkasojë më shumë sesa ka pasur aktivitete biznesi, njëkohësisht ka edhe ulje të ankesave të bizneseve ndaj ATK-së. Kjo tregon se performancat në tremujorin e kaluar kanë qenë performanca të mira dhe kjo do të dëshiroja të vazhdojë”, ka thënë ai.

Shahini ka shtuar se përderisa shteti i Kosovës i planifikon të hyrat vetëm nga Dogana dhe ATK-ja në pikat kufitare, kjo nuk është një shenje e mirë që në Kosovë po rritet ekonomia.

“Kjo tregon se në Kosovë nuk ka vija buxhetore të qëndrueshme, njëkohësisht nuk ka vija buxhetore alternative nga investimet dhe taksat e tjera, por vetëm nga Dogana dhe ATK-ja. Kjo duhet të ndryshojë, sepse edhe marrëveshja me MSA-në dhe marrëveshjet me faktorët e tjerë shtetërorë për tregti të lirë do t’i ulin të hyrat nga dogana. Duhet që këto të hyra të zëvendësohen nga vijat buxhetore të tjera”, është shprehur Shahini.


Albulena S. MAVRAJ

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)