ATK-ja mbledh 201 milionë euro dhe shqipton 6 915 gjoba
Albulena S. Mavraj
Prishtinë, 15 shtator - Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) për tetë muajt e parë të këtij viti ka arritur të grumbullojë të hyra në vlerë prej 201.2 milionë eurosh, shumë e njëjtë me atë të vitit të kaluar.
Valentina Bytyqi-Sefa, zyrtare për Komunikim me Publikun në ATK, ka deklaruar se të hyrat e realizuara gjatë periudhës janar-gusht 2014 kapin shumën prej 201.2 milionë eurosh.
Kjo shumë është e përafërt me të hyrat e periudhës së njëjtë të vitit të kaluar. Administrata Tatimore e Kosovës i konsideron si trend pozitiv këto të hyra, pavarësisht situatës aktuale ekonomike, ka thënë ajo.
Bytyqi-Sefa ka thënë për gazetën Epoka e re se gjatë tre vjetëve të fundit ka rritje të numrit të deklaruesve dhe të numrit të deklaratave dhe pagesave, të cilat kanë ndikuar në ruajtjen e trendit të të hyrave.
Si rezultat gjithëpërfshirës, kemi rritje të kënaqshmërisë së tatimpaguesve ndaj shërbimeve të ATK-së. Kjo është reflektuar edhe në Raportin e të Bërit Biznes të vitit 2014-t, në të cilin Kosova është e ranguar për qëllime tatimore në vendin e 43-të nga 198 shtete, është shprehur Bytyqi-Sefa.
Sipas saj, ATK-ja nga Fondi Monetar Ndërkombëtare (FMN) është cilësuar si një administratë e orientuar me shërbime në harmoni me praktikat e mira të pranuara ndërkombëtarisht.
Sa i përket numrit të inspektorëve tatimorë dhe gjobave të shqiptuara gjatë periudhës janar-gusht, Bytyqi-Sefa ka bërë me dije se ATK-ja i ka 289 inspektorë operativë dhe ndaj bizneseve janë shqiptuar afërsisht 7 000 mijë gjoba.
Edhe gjatë kësaj periudhe për bizneset, të cilat nuk i kanë përmbushur obligimet e tyre tatimore, janë lëshuar gjoba. Për periudhën janar-gusht 2014 janë lëshuar 6 915 gjoba, është shprehur ajo.
Shahini: Aktivitetet biznesore janë duke u stagnuar
Në anën tjetër, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka deklaruar se aktivitetet biznesore nga viti në vit janë duke u stagnuar dhe nuk janë duke ecur përpara.
Shifrat e mbledhjes së të ardhurave, mosrritja e buxhetit të konsoliduar të Kosovës dhe ndalja e investimeve të ndryshme tregojnë se kemi ngecje të zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Për ta pasur një zhvillim ekonomik kërkohet angazhim dhe një strategji shtesë, ka thënë ai. Shahini e ka akuzuar ATK-në për mosprofesionalizmin e stafit.
ATK-ja ka staf të madh, pavarësisht se si është instaluar në ATK, por i mungon profesionalizmi, ka theksuar Shahini. Ai ka shtuar se ankesat e bizneseve ndaj ATK-së kanë rënë, por prapë numri i tyre mbetet i lartë.
Vitin e kaluar dhe sivjet ndaj ATK-së kanë rënë ankesat, por mbetet prapë numër i madh. Duhet shikuar nëse janë bizneset ato që po bëjnë veprime të jashtëligjshme me aktivitetet e tyre apo inspektorët tatimorë janë duke i thyer normat dhe janë duke tentuar që me çdo kusht ti marrin taksat, është shprehur ai.