ATK-ja ka avancuar në sistemin elektronik
Prishtinë, 25 shkurt - Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Behxhet Haliti, ka deklaruar se ATK-ja në vitet e fundit ka avancuar shumë në sistemin elektronik.
Haliti në një intervistë për Epokën e re ka thënë se Deklarimi Elektronik deri më tani mundësohet për të gjithë ata që marrin shërbime nga ATK-ja. Sipas tij, kjo ka bërë të zvogëlohen vizitat në sportelet e ATK-së.
Sipas tij Deklarimi Elektronik deri më tani mundësohet për Deklarimin e TVSH-së, Tatimin në Paga dhe Kontributet Pensionale, si dhe deklarimin dhe pagesën e Kësteve Tremujore të Formularëve si: Pasqyra tremujore e Tatimit dhe Kontributeve për Bizneset e Vogla Individuale (IS), Pasqyra tremujore e Pagesës-paradhënie për Bizneset e Mëdha Individuale (IL), Pasqyra tremujore e pagesës së tatimit për Korporatat e Vogla (QS) dhe Pasqyra tremujore e pagesës - paradhënie për Korporatat e Mëdha (QL). Që nga data 1 marsi 2014 do të fillojë edhe aplikimi i Deklarimit Elektronik të Deklarimit Vjetor për Bizneset Individuale dhe Korporatat, të cilat kërkohet të deklarojnë me formularët: Formulari i deklarimit vjetor dhe pagesës për Tatimin në të Ardhura Personale - PD dhe Formulari i deklarimit vjetor dhe pagesës për Tatimin në të Ardhura të Korporatave - CD. ATK-ja vazhdimisht është në përpjekje të ofrojë lehtësira më të mëdha për tatimpagues.
"Shërbimi Elektronik EDI është proces në vazhdimësi, ku do të zhvillohen aplikacione të reja edhe në të ardhmen pa ndonjë përkufizim kohor, pasi është paraparë që për të gjitha deklarimet, proceset, lidhur me çështjet tatimore të zhvillohen, produkte, aplikacione nëpërmjet sistemit elektronik EDI, të cilat do ta lehtësojnë përmbushjen e detyrimeve tatimore nga ana e tatimpaguesve. Ndërsa nëpërmjet ueb-faqes së ATK-së, mundësohet deklarimi i Raportimit të Blerjeve mbi 500 euro, si dhe shkarkimi i Vërtetimit Tatimor për të punësuarit (personat fizik)", ka theksaur ai.
Sipas tij Sistemi elektronik EDI lehtëson procedurat për përmbushjen vullnetare të obligimeve tatimore nga ana e tatimpaguesve. Reforma e tillë në Deklarimin e Tatimeve dhe Kontributeve Pensionale mundëson reduktimin e kohës dhe uljen e kostos së shpenzimeve dhe paralelisht me këtë, Fondit të Kursimeve Pensionale i mundësohet të ketë informacion më të saktë dhe në kohë për kontribuuesit dhe kursimet e tyre pensionale. Ky proces është duke funksionuar në nivelin e duhur, i cili ka kontribuar në rritjen e numrit të deklaruesve, si dhe është vlerësuar lart si nga komuniteti i biznesit, ashtu edhe nga palët e tjera të interesit. Përparësitë e Sistemit Elektronik - EDI janë: Reduktim i dokumenteve, reduktim i raporteve periodike, kursim i kohës dhe kostos, deklarim i tatimeve në çdo kohë - 24 orë në ditë, pagesa online në çdo kohë - 24 orë në ditë, reduktim i vizitave të shumta në zyrat e ATK-së, dorëzim i menjëhershëm, i besueshëm dhe i sigurt, procesim i shpejtë dhe i saktë i deklaratave, qasje në historinë e deklarimeve, kontrollim i historisë dhe bilancit tatimor etj.
"ATK-ja i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për krijimin e qendrave të shërbimit të tatimpaguesve - sistemi për menaxhimin e radhëve në të gjitha regjionet e ATK-së. Deri më tani qendrat moderne të Shërbimit të Tatimpaguesve, të cilat janë funksionalizuar me menaxhimin e radhës janë regjionet: Prishtinë, Prizren, Pejë, ndërsa për regjionet Mitrovicë, Ferizaj, Gjakovë dhe Gjilan brenda vitit 2014 pritet të përfundojë projekti dhe të funksionalizohen me menaxhimin e radhës", ka pohuar ai për gazetën "Epoka e re".