ATK, gjatë vitit 2011 ka mbledhur 370 milionë euro
Prishtinë, 26 janar - Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) në një konferencë për media publikoi të dhënat përfundimtare për vitin 2011 ku gjatë këtij viti ka mbledhur 261 milionë euro nga tatimet, duke tejkaluar planin për 0.8 për qind, apo 20 për qind më shumë se gjatë vitit paraprak.
Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Behxhet Haliti ka thënë së ATK ka mbledhur 370 milionë euro, prej tyre 261 milionë nga tatimi, kurse 108 milionë nga kontributet pensionale, të cilat iu kanë dhënë trustit për menaxhim të mëtutjeshëm.
Haliti, vitin 2011e cilësua si viti më i suksesshëm në përmirësimin e shërbimeve ndaj tatimpaguesve dhe në arkëtimin e të hyrave, ku edhe këtë vit ATK ka luajtur rol të rëndësishëm në qëndrueshmërinë ekonomike të vendit duke grumbulluar 261,123,163 euro.
Në konferencën e sotme nuk do të fokusohemi vetëm në grumbullimin e të hyrave pasi që mbledhja e tatimit ka qenë vetëm një nga shumë veprimtaritë që kemi zhvilluar gjatë vitit 2011. Ajo çka ATK ka qenë e fokusuar gjatë pothuaj tërë vitit paraprak është zhvillimi i projekteve me rëndësi të lartë, të cilat u ofrojnë tatimpaguesve lehtësira në përmbushjen tatimore. Me një fjali mund të them se viti 2011 ka qenë vit i zhvillimit të projekteve për ofrimin e lehtësirave për tatimpaguesin, theksoi z. Haliti
Më së shumti të hyra janë mbledhur nga Tatimi në Vlerë të Shtuar, rreth 122 milionë euro, apo rreth 46 për qind, pastaj nga Tatimi i mbajtur në burim dhe Tatimi në të ardhura të korporatave.
Gjatë vitit të kaluar janë zhvilluar rreth 900 kontrolle dhe 78 mijë vizita edukuese përmbushëse ndaj tatimpaguesve. Kurse si rezultat i mbledhjes së detyrueshme janë arkëtuar rreth 32 milionë euro. Haliti përmendi edhe prioritetet e këtij viti.
Ai gjithashtu shtoi se gjatë vitit 2011 në bashkëpunim me këshilltarët e USAID, ATK ka zhvilluar edhe shumë trajnime për stafin e ATK-së, si dhe se kanë punuar në ngritjen e vetëdijes së stafit për të Drejtat dhe Obligimet themelor të tatimpaguesve, duke ecur kështu në përputhje me njërën nga shtyllat kryesore të vizionit të ATK-së e cila sipas tij është që ATK të përbëhet nga personeli profesionist dhe energjik që do të garantojnë një nivel të lartë të transparencës në raport me tatimpaguesit, përmes të cilës ATK do të bëhet burimi kryesor i të hyrave për shtetin e Kosovës.
Një risi tjetër e ATK-së ishte edhe e përzgjedhja e identitetit korporativ, përkatësisht logos: Njëra nga deklaratat e vizionit të ATK-së është që të formojë dhe ta ruaj një imazh pozitiv për të mirën e shtetit të Kosovës, prandaj në përvjetorin e 12 të ATK-së ne kemi zgjedhur edhe identitetin korporativ të institucionit tonë u shpreh Drejtori i ATK-së, duke prezantuar logon e re të këtij institucioni.
Gjithashtu, ky vit ka përfshirë edhe aktivitete të tjera siç janë: funksionalizimi i Deklarimit Elektronik EDI, funksionalizimi i Qendrës së Thirrjeve, hartimi i Udhëzuesve Tatimor, zvogëlimi i procedurave për marrjen e NRF tani merren në ditën e aplikimit, raportimi elektronik i blerjeve mbi 500 euro, Hartimi i Strategjisë së Përmbushjes 2012-2015, në bashkëpunim me ekspertët e FMN-së, Hartimi i Strategjisë së Teknologjisë Informative 2012-2015 e të tjera.
Viti 2012 do të jetë një vit me plot sfida duke përfshirë realizimin e planit të të hyrave për vitin 2012, implementimin e Strategjisë së Përmbushjes 2012-2015, identifikimin e saktë dhe azhurnimin e regjistrit të tatimpaguesve, si dhe kushtet e punës tha Drejtori i ATK-së fund të këtij prezantim.