ATK: Ekonomia jo-formale në shkallë të gjerë dëmton interesat e Qeverisë
Prishtinë, 16 shkurt - Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka vlerësuar se ekonomia jo-formale në shkallë të gjerë dëmton interesat fiskale të Qeverisë, duke shkaktuar zvogëlimin e të hyrave për buxhetin e shtetit.
Kjo sipas ATK-së dobëson infrastrukturën shtetërore, si dhe aftësinë e saj për të ofruar shërbime më të mira publike.
Ndikimet e ekonomisë jo-formale nuk kufizohen vetëm në sektorin publik, por ato ndikojnë me të madhe edhe në aktivitetet e biznesit legal.
Ekonomia jo-formale shtrembëron konkurrencën e ndershme dhe ul konkurrencën midis kompanive. Aktivitetet biznesore të punës joformale dhe evazioni sistematik tatimor, dobësojnë mbrojtjen e punonjësve dhe shoqërisë në përgjithësi.
Qeveria e Republikës së Kosovës, ka treguar vullnet për të parandaluar dhe luftuar ekonominë jo-formale.
Kjo është bërë duke hartuar dhe zbatuar një sërë ligjesh shtetërore në përputhje me standardet ndërkombëtare, si dhe duke krijuar Strategjinë Kombëtare për Parandalimin dhe Luftimin e Ekonomisë jo-formale.
Administrata Tatimore e Kosovës, si institucion i specializuar dhe me autorizime të veçantë ligjore për të parandaluar dhe luftuar ekonomin jo-formale dhe evazionin fiskal, ka ndërmarrë dhe do të ndërmerr veprime përkatëse ligjore në funksion të zbatimit të kësaj strategjie të Qeverisë.
Kështu që ndër prioritetet e administratës tatimore, janë parandalimi dhe luftimi i ekonomisë jo-formale, në këtë kontest edhe i shmangies tatimore.
Rezultatet e mira të arritura nga ATK, përmes shumë aktiviteteve të zhvilluara, në parandalimin dhe luftimin e ekonomisë jo-formale, janë vlerësuar edhe në raportin e fundit të publikuar nga Komisioni Evropian.
Ku thuhet se tek pjesa ku ka përgjegjësi ATK-ja, ka rënë niveli i ekonomisë jo-formale dhe është rritur niveli i të hyrave.
Krahas aktiviteteve tjera operative të ATK-së, vlen të theksohet së gjatë vitit 2017, vetëm nga Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës janë realizuar 338 aktivitete për verifikim të shmangieve tatimore, si dhe janë kryer 5 bastisje.
Kurse sa i përket dyshimeve për shmangie tatimore janë hapur 32 raste për hetime tatimore, si dhe janë zhvilluar 266 intervista me të dyshuar dhe dëshmitar për shmangie nga tatimi. DHTI, për institucionet e zbatimit të Ligjit ka ofruar 223 informata.
Veç tjerash, janë kryer 22 raporte të kontrollit dhe gjatë kësaj periudhe rezultatet nga shmangia tatimore, janë realizuar në vlerë prej: 667,014.00 euro, pa ndëshkime dhe interesa.
Administrata Tatimore, i fton të gjithë bizneset dhe qytetarët që ushtrojnë çfarëdo aktiviteti afarist, t`iu përmbahen kërkesave ligjore në fuqi, të deklarojnë dhe paguajnë me kohë tatimet sipas ligjeve në fuqi, në mënyrë që mos të jenë pjesë e masave ndëshkuese penale, të konfiskimit dhe sekuestrimit te pasurisë.