ATK edhe me një shërbim të ri elektronik
Prishtinë, 28 shtator - Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka bërë të ditur se nga sot, përmes sistemit elektronik EDI, mundësohet regjistrimi për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, gjegjësisht gjenerimi i numrit të TVSH-së.
Tatimpaguesit, që obligohen apo vullnetarisht zgjedhin të regjistrohen për TVSH, kërkesën për regjistrim, do ta parashtrojnë përmes Sistemit Elektronik EDI.
Pasi të parashtrohet kërkesa nga ana e tatimpaguesit, sistemi do të bëjë verifikimin e të dhënave të tatimpaguesit. Vetëm për tatimpaguesin që plotëson të gjitha kriteret për Regjistrim në TVSH, regjistrimi do të bëhet në mënyrë elektronike.
Në momentin e regjistrimit të tatimpaguesit për TVSH, tatimpaguesi pranon mesazhin, me të cilin njoftohet se regjistrimi ka përfunduar me sukses dhe njëherësh pranon edhe numrin e gjeneruar të TVSH-së.
Po ashtu, në mënyrë elektronike, tatimpaguesi njoftohet se Certifikatën e TVSH-së duhet ta tërheq në zyrën përkatëse të Shërbimit dhe Edukimit të Tatimpaguesve.