19 Nëntor 2024

ATK e përkushtuar për adresimin e problemeve të bizneseve

Prishtinë, 6 dhjetor - Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një tryezë me qëllim të adresimit dhe diskutimit të çështjeve dhe problemeve tatimore me të cilat përballen bizneset të identifikuara nga Komiteti Tatimor i Odës Amerikane.

Përveç anëtarëve të Komitetit dhe anëtarëve të Odës Ekonomike Amerikane, prezent ishin edhe Drejtori i Përgjithshëm, Behxhet Haliti, dhe zyrtarë të tjerë nga Administrata Tatimore e Kosovës.

Në hapje të tryezës, Drejtori Ekzekutiv i OEAK, tha se me gjithë përmirësimet e shumta të bëra së fundmi nga ana e ATK-së dhe Ministria e Financave, bizneset vazhdojnë të paraqesin probleme të ndryshme të cilat kryesisht lidhen me vendimet të cilat ata i konsiderojnë arbitrare nga ana e Administratës Tatimore të Kosovës, e të cilat janë rezultat i interpretimit jo të duhur të dispozitave të ligjeve tatimore.

Ajo që është veçanërisht shqetësuese për bizneset është poashtu mosfunksionimi i mekanizmave të pavarur të shqyrtimit të ankesave të tyre.

Ai poashtu tha se çështjet e ngritura nga bizneset duhet të konsiderohen me kujdes nga ana e ATK-së dhe Ministrisë së Financave gjatë fazës së rishikimit të legjislacionit tatimor.

Gjithashtu, ai potencoi se me qëllim të lirimit të ngarkesës së ATK-së nga mbledhja e borxheve të vjetra, duhet të mendohet për një amnisti tatimore, duke ndjekur praktikat e vendeve të tjera.

Në anën tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, z.Behxhet Haliti shprehu gatishmërinë e tij t'u përgjigjet ftesave për takime të tilla, si një mënyrë më e mirë për të dëgjuar shqetësimet e tatimpaguesve, dhe njëkohësisht duke ofruar rekomandime për zgjidhjen sa më të shpejtë të tyre.

Haliti falënderoi Odën Amerikane e cila në mënyrë të vazhdueshme adreson çështjet e paraqitura nga bizneset anëtare të Odës Amerikane duke mos pushuar asnjëherë së punuari në këtë drejtim.

Ai shtoi se të gjitha pikat e paraqitura në këtë takim, do të paraqiten edhe në Këshillin Konsultativ të themeluar së fundmi nga Ministria e Financave dhe nga komuniteti i biznesit, si një mënyrë  më e lehtë dhe e shpejtë për zgjidhjen e çështjeve të adresuara duke uruar që të njëjtat të mos përsëriten më në të ardhmen.

Ai theksoi se edhe pse ka përmirësime të dukshme në ofrimin e shërbimeve nga ana e ATK-së, duke zgjeruar shërbimet e tyre në qendrat rajonale, njëkohësisht duke u përmirësuar performanca e shërbimeve, ata nuk do të ndalojnë së pranuari sugjerime dhe kritika nga komuniteti i biznesit.

Kurse, kryesuesi i Komitetit Tatimor të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, z.Ruzhdi Zenelaj, fillimisht shprehu mirënjohjen e tij në lidhje me përkushtimin Administratës Tatimore sa i përket masave të ndërmarra me qëllim të lehtësimit dhe thjeshtësimit të procedurave për tatimpaguesit.

Megjithatë, anëtarët e Komitetit që ai kryeson dhe anëtarët e Odës Amerikane kanë identifikuar çështje të tjera lidhur me tatimet dhe taksave, dhe me qëllim të përmirësimit dhe rregullimit të këtyre çështjeve të konsideruara si të pafavorshme nga tatimpaguesve, ai i prezantoi shkurtimisht ato pika për të vazhduar me sqarimin dhe diskutimin lidhur me to.

Në mesin e çështjeve të cilat u ngritën nga ana e anëtarëve të Komitetit Tatimor të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë ishin mosfunksionimi i Bordit për shqyrtimin e ankesave, mosefektiviteti i Gjykatës Themelore për Shqyrtimin e ankesave që lidhen me vendimet e ATK-së, pamundësia e korrigjimit të deklaratave tatimore në mënyrë elektronike, problemet e rimbursimit të cilat dalin nga udhëzimi i miratuar së fundmi për normën e sheshtë për bujqit, mosaplikimi i saktë i ndëshkimeve në rastin e korrigjimeve të bëra nga vetë tatimpaguesit dhe mungesa e informacioneve për marrëveshjet e eliminimit të tatimit të dyfishtë, etj.

Çështjeve të ngritura në tryezë ju ofruan sqarime Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Behxhet Haliti, Drejtori i Departamentit Ligjor, Ilir Islami, dhe Zëvendësdrejtori i ATK, Nahit Sharku.

Duke i ftuar dhe inkurajuar për komente dhe sugjerime të mëtutjeshme, Drejtori i Përgjithshëm dhe zyrtarët e ATK-së u zotuan se do t'i marrin parasysh dhe do t'i shqyrtojnë të gjitha pikat e diskutuara në tryezë  duke mbetur edhe më tej të përkushtuar për krijimin e mekanizmave më të shpejtë të reagimit ndaj këtyre problemeve të komunitetit të biznesit, në mënyrë që të reduktohet sa më shumë numri i tyre në të ardhmen.

Tryeza ishte një mundësi e mirë që bizneset të dëgjojnë direkt nga udhëheqësit e sektorëve të ATK-së, sqarimet përkitazi me çështjet e ngritura prej tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)