ATK dhe KGJK, marrëveshje për shkëmbimin e informatave
Prishtinë, 15 qershor - Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), nënshkruan sot një marrëveshje pune lidhur me shkëmbimin e informatave të të punësuarve, e cila ndërlidhet me zbatimin e vendimeve përmbarimore të kontesteve civile.
Neni 42 i Ligjit për Procedurën Përmbarimore, siguron që agjencitë ose institucionet e Qeverisë së Kosovës të bashkëpunojnë në shkëmbimin e informatave të ndërsjella me sistemin gjyqësor të Kosovës.
Përmes kësaj marrëveshje Këshilli Gjyqësor i Kosovës, do të sigurojë të dhënat për të gjithë të punësuarit dhe punëdhënësit e tyre që rregullisht paguajnë kontribute dhe tatime nëpërmjet të ardhurave të tyre personale, si dhe këto të dhëna do ti vënë në dispozicion të Gjykatave të Kosovës, të cilat e kanë përgjegjësinë primare për të siguruar zbatimin e vendimeve të plotfuqishme civile, duke implementuar dispozitat ligjore për përmbarimin në të ardhurat e debitorëve të mundshëm.
Gjithashtu, përmes kësaj marrëveshje Administrata Tatimore e Kosovës, mundet kohë pas kohe të kërkojë asistencë nga Gjykatat në marrjen e informatave lidhur me borxhlinjtë tatimor ose asetet e tyre.