ATK dhe AKP nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi
Memorandumi i mirëkuptimit për barrët tatimore është përkrahur edhe nga Ministria e Financave e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ky memorandum rregullon procedurat e pagesës së borxheve të Ndërmarrjeve Shoqërore që kanë barrë tatimore dhe rregullon procedurat përmes së cilave AKP mund të shes pasuritë e NSH-ve që i nënshtrohen barrës tatimore të regjistruar nga ATK dhe transferimit të barrës tatimore në mjetet nga shitja e pasurive të NSH-ve.
Sipas këtij memorandumi, parashihet që gjatë vitit 2014 Agjencia Kosovare e Privatizimit të paguaj rreth 30 milion euro ne emër të Ndërmarrjeve Shoqërore për ato NSH të cilat kanë borxhe të evidentuara nga Administrata Tatimore.
Bartja e mjeteve nga fondet e mirëbesimit të NSH-ve në likuidim do të bëhet duke u bazuar në nenin 41.3 të shtojcës së ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit pas plotësimit të kushteve të parapara në Memorandumin e Mirëkuptimit.
Drejtor i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës Behxhet Haliti pas nënshkrimit të Memorandumit tha se ky Memorandum është në funksion të realizimit të një plani dinamik të trajtimit të borxheve që është duke e zhvilluar këto 3 vitet e fundit dhe duke mbajtur nivelin e stokut të borxheve në një nivel të arsyeshëm.
"Me këtë Memorandum ne do ti trajtojmë rreth 1/3 të stokut të borxheve të trashëguara për më shumë se 10 vite. Ne si Administratë tatimore presim që këto mjete të derdhen në buxhetin e Kosovës dhe rreth 10% do të jenë edhe për kontributet pensionale. Mendoj se është një beneficion i dyanshëm edhe për ne si institucione por edhe për të gjitha palët e interesit që janë të lidhura me ato ndërmarrje shoqërore".
Ndërsa Shkelzen Lluka Drejtor Ekzekutiv i Agjencionit Kosovar të Privatizimit tha se për AKP-në do të jetë një mundësi e mirë pasi që Agjencioni do të mund të bëjë shitjen e atyre aseteve që nuk ka mundur ti shes pasi që kanë pasur barrë tatimore, kurse dihet se likuidimi i një ndërmarrje shoqërore nuk mund të përfundoj derisa të shiten të gjitha asetet a ndërmarrjes. Në këtë rast përfitojnë të gjithë, edhe buxheti i Kosovës, edhe kreditorët dhe punëtorët .