27 Prill 2025

ATK, 10 mijë euro për ekspertin ndërkombëtar

Prishtinë, 8 prill - Hiç më pak se 10 mijë euro do t’i shpenzojë Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) për blerje të shërbimeve në fushën e traktateve ndërkombëtare.

Përmes një tenderi njëburimor në fund të javës që lamë pas ATK-ja ka shpallur fituese Katharina Kunze, ku kjo e fundit për punën që do ta bëjë do të marrë hiç më pak se 9504 euro.

Por, nuk është hera e parë kjo që Administrata Tatimore e Kosovës aplikon procedura njëburimore për tenderët që ajo shpall.

Po ashtu kohë më parë ATK-ja përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit, tenderin prej 10 mijë euro për trajnim të stafit shfrytëzim të objektit, ia pati dhënë Universitetit Amerikan në Kosovë.

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Behxhet Haliti, thotë se këshilltarja në fjalë i ndihmon ATK-së në projekte të ndryshme, por, sipas tij, kjo e fundit nuk merr pagë nga ATK-ja, por nga GTZ-ja gjermane.

“Meqenëse Kosova është shtet i pavarur ne kemi filluar shumë negociata me institucione të ndryshme ndërkombëtare për të shkëmbyer përvoja. Tash neve si ATK na mbetet angazhimi i një njeriu tonin me rrogë prej 300 euro, derisa të gjitha shpenzimet tjera i bart GTZ-ja gjermane. Kësi formati të asistencës kanë edhe ministritë e Qeverisë së Kosovës siç është ajo e Bujqësisë etj”, tha ai për “Zërin”.

Drejtori Haliti tha se për momentin nuk ka detaje më të hollësishme për punën që do ta bëjë eksperti ndërkombëtar i angazhuar nga GTZ-ja.

Por, në anën tjetër njohës të rrethanave ekonomike në vend thonë se përmes tenderëve njëburimor në vazhdimësi është abuzuar dhe po abuzohet me fonde publike.

Sipas tyre, në këtë formë po përfitojnë dhe po favorizohen persona të caktuar.

Dardan Sejdiu nga Lëvizja “Vetëvendosje”, thotë se tenderët njëburimor janë mundësi e përkryer për çdo formë të keqpërdorimit të parasë publike. “Për më shumë duke pasur parasysh historikun e këtyre 12 viteve në lidhje me tenderët së paku që do të duhej të bënin është të mos bëjmë prokurime njëburimore. Por ja që vazhdohet me avazin e vjetër”.

Sejdiu nga Lëvizja “Vetëvendosje” thotë se blerja e shërbimeve përmes tenderëve njëburimor është bërë praktikë shumë e keqe institucionale. “Pra këta qeveritarë dhe këto institucione në vend se t’i ikin këtij lloji të prokurimit në mënyrë që të kthejnë besimin, këta e bëjnë pikërisht të kundërtën”, tha ai.

/Zëri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)