16 Nëntor 2024

Asnjë projekt kapital nuk është hequr nga Projektbuxheti 2015

Prishtinë, 8 korrik - Informata lidhur me marrëveshjen e negociuar në mes Qeverisë së Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për Programin e ri, ishte pikë e parë e rendit të ditës së mbledhjes së sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa, të kryesuar nga Naser Osmani, kryetar i Komisionit, e ku merrnin pjesë edhe Avdullah Hoti, ministër i Financave dhe Frank Lakwjik, përfaqësues i përhershëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë.

Ministri Avdullah Hoti i bëri një vështrim arsyeshmërisë së arritjes së kësaj Marrëveshjeje, me theks të veçantë në përfitimet që do të ketë Kosova në zhvillimin e saj.

“Jemi pajtuar për rishikimin e buxhetit, në terma të përgjithshme për buxhetin e vitit 2016, ndërsa për këtë çështje diskutimet do të vazhdojnë në shtator dhe për fillimin e prokurimeve të centralizuara dhe prokurimin elektronik”, theksoi z. Hoti.

Ai në vijim tha se duhet të ndërrohet plotësisht qasja në lëmin  e investimeve kapitale. Në këtë vështrim ai tha se klauzola e investimeve mundëson të shohim se cilat projekte janë më me interes dhe më të përshtatshme për sigurimin e investimeve.

Ndërkaq, z.Hoti paralajmëroi se do të ketë ndryshime ligjore që derivojnë nga  ky Program.

Në fjalën e tij z.Frank Lakwjik në fillim u falënderua i impresionuar për bashkëpunimin e deritashëm dhe qëndrimin në Kosovë,meqë ai do të përfundojë mandatin, ndërsa njëkohësisht premtoi se edhe pasardhësi i tij do të zhvillojë bashkëpunim të frytshëm me institucionet përkatëse të vendit tonë.

Në vijim ai tha se e përkrah Programin e Qeverisë së Kosovës, të cilin do ta përkrahë njëkohësisht edhe FMN-ja.

Sa i përket rishikimit të Buxhetit, që është në agjendë të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës,është rishikim realist, sepse Projeksioni i Buxhetit të vitit 2015 nuk ishte realist, ndërsa me këtë rishikim të planifikuar, buxheti do të jetë real, për të mundësuar arritjen e zhvillimeve të parapara.

Gjatë debatit u tha se  investimet duhet të orientohen në projekte që përkojnë me zhvillimin, e jo në infrastrukturë,por u shprehën edhe mendime se edhe ngritja e infrastrukturës ka efektet e veta në zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit.

Në fjalën e tij, Naser Osmani, duke folur rreth kësaj çështjeje, theksoi se Buxheti i vitit 2015, vërtet ka qenë ambicioz, por është menduar që do të ketë edhe rishikim të tij, që bazohet në të hyra më reale me qëllim të realizimit të tij. Komisionit i mbetet që të angazhohet në aspektin e rishikimit të buxhetit të vitit 2015.

Gjatë debatit kishte angazhime që në të  ardhmen mos të hartohen projeksione jo reale.

Ministri Avdullah Hoti njoftoi të pranishmit se asnjë projekt kapital nuk është hequr me rishikim të Buxhetit të vitit 2015,si dhe janë siguruar të gjitha shërbimet që kanë qenë të planifikuara me buxhetin fillestar.

Ndërkaq, duke u përgjigjur në një pyetje rreth buxhetit të vitit 2016, ai tha se Buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë model projeksioni.

Anëtarët e Komisionit shqyrtuan në parim Projektligjin nr. 05/L-045 për Sigurimet, për të cilin u tha se është në harmoni me direktivat e Bashkimit Evropian.

U shqyrtuan pastaj edhe Projektligji nr. 05/L-15 për Letërnjoftimin me amendamentet e Komisionit funksional për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së,Projektligji nr. 05/L-22 për Armë dhe amendamentet e  Komisionit funksional për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-246 për Pajisje me Armë, Municion dhe Pajisje Përkatëse të Sigurisë për Institucionet e Autorizuara Shtetërore për Siguri dhe amendamentet e  Komisionit funksional për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së dhe Projektligji nr. 05/L-27 për Digjitalizimin e transmetimeve radio difuzive tokësore dhe amendamentet e Komisionit funksional për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri.

Anëtarët e Komisionit përkrahën dhe proceduan më tej në Kuvend të pesë  projektligjet, duke theksuar se ato nuk prodhojnë kosto financiare.

Komisioni miratoi raportet finale me amendamente për Projektligjin për tatimin në të ardhurat personale, Projektligjin për tatimin në të ardhurat e Korporatave dhe për Projektligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe raportet i procedoi për shqyrtim të dytë në Kuvend.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)