18 Nëntor 2024

ASK publikon Vjetarin Statistikor të Republikës së Kosovës për vitin 2014

Prishtinë, 23 maj - Në konferencën e mbajtur sot (23 maj 2014), Agjencia e Statistikës së Kosovës (ASK) për herë të parë ka dalë me botimin: Vjetari Statistikor i Republikës së Kosovës 2014.

Vjetari Statistikor i Republikës së Kosovës 2014, botohet për herë të parë dhe është një nga botimet më të veçanta dhe më të rëndësishme të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ku janë përmbledhur shumë të dhëna të rëndësishme statistikore në seri të ndryshme kohore, që kanë të bëjnë me Kosovën.

Kryeshefi i ASK-së, Isa Krasniqi tha se informacionet statistikore, të cilat janë të paraqitura në Vjetarin Statistikor, janë produkt i përgatitur në bazë të eksperiencës, bashkëpunimit me shfrytëzuesit dhe gatishmërisë së ASK-së, për t’iu përgjigjur në kohë dhe me cilësi kërkesave të përdoruesve.

Krasniqi po ashtu njoftoi se në këtë publikim gjenden të dhëna përmbledhëse statistikore, shënime metodologjike, grafikone, harta  dhe analiza mbi gjendjen aktuale për fusha të veçanta të veprimtarive ekonomike, sociale dhe bujqësore në Republikën e Kosovës.

“Përdoruesit e statistikave zyrtare, në këtë botim, do të kenë mundësinë që shumë shpejtë të gjejnë faktet themelore për Kosovën, si dhe të gjejnë të dhëna përmbledhëse dhe krahasuese në fushat e popullsisë, gjeografisë, arsimit, kulturës, kushteve shoqërore, shëndetësisë, drejtësisë, tregut të punës dhe rrogat, të ardhurave dhe konsumit, bujqësisë, pylltarisë, peshkimit, energjisë, hotelerisë, industrisë, ndërtimtarisë, banimit, bizneseve, shkëmbimit të mallrave dhe shërbimeve, transportit dhe komunikimit, tregtisë, llogarive kombëtare, bilancit të pagesave, çmimeve, financave publike, tregjeve financiare, mjedisit, disa të dhënave krahasuese me rajonin dhe më gjerë”, theksoi Krasniqi.

Drejtori i Metodologjisë dhe TI-së në ASK, Ramiz Ulaj theksoi se me promovimin e Vjetarit Statistikor të Republikës së Kosovës 2014, për veç rëndësisë që ka si botim, bëhet në mënyrë të përmbledhur prezantimi i punës së ASK-së në disa vite dhe po ashtu, ASK del me të dhëna krahasuese sikurse vendet tjera të Evropës që kanë vjetar statistikor.

 Ulaj më tej prezantoi disa pjesë përmbajtjesore të Vjetarit Statistikor, ku mes tjerash tha se Republika e Kosovës ka 38 komuna me 1469 vendbanime, ndërsa maja më e lartë është Gjeravica, 2.656 metra dhe liqeni më i madh është i Gazivodës me 9.1 km².

Në vazhdim Ulaj, ofroi të dhëna për lindjet, ku siç tha, përmbajnë informacione në lidhje me ngjarjet jetësore që kanë ndodhur në nivel vendi dhe të komunave, sipas karakteristikave kryesore, si mosha, gjinia, etnia, arsimi dhe fertiliteti.

“Të dhënat për kurorëzimet, paraqiten sipas viteve dhe statusit martesor, po ashtu, sipas viteve dhe moshës mesatare të të martuarve, të prezantuara sipas komunave dhe sipas grupmoshës së burrit dhe gruas”, tha Ulaj.

Ndryshe, Vjetari Statistikor i Republikës së Kosovës 2014 përfaqëson një nga përpjekjet më serioze të ekipit të ASK-së dhe bashkëpunëtorëve të ASK-së, për informim të opinionit publik.

Botimi është i disponueshëm dhe në formë elektronike, duke lehtësuar kështu përdorimin e të dhënave.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)