ASK publikon Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë
Prishtinë, 29 janar - Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë për tremujorin e katërt (TM4) 2020.
Në tremujorin e katërt (TM4) të vitit 2020 (TM4) janë regjistruar gjithsej 2 868 ndërmarrje. Krahasuar me tremujorin paraprak (TM3 2020) rritje për 10.60% të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM4 2019) ka rritje për 11.76% të ndërmarrjeve të regjistruara
Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: Tregtia me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 728 ndërmarrje të regjistruara (25.4%); Prodhimi me 354 ndërmarrje të regjistruara (12.3%); Aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike me 286 ndërmarrje të regjistruara (10%); Akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 275 ndërmarrje të regjistruara (9.6%); Ndërtimtaria me 268 ndërmarrje të regjistruara (9.3%); Informacioni dhe komunikimi me 180 ndërmarrje të regjistruara (6.3%), etj.
Në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar ishin gjithsej 1 141 ndërmarrje të regjistruara në këtë tremujor (96.7 %); në kategorinë me 5 deri 9 të punësuar ishin 63 sosh (2.2%); në kategorinë me 10 deri në 19 të punësuar ishin 21 ndërmarrje të regjistruara (0.7%); në kategorinë me 20 deri 249 të punësuar ishin 11 ndërmarrje të regjistruara (0.4%); ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar, nuk ka pasur ndonjë ndërmarrje të regjistruar gjatë këtij tremujori.
Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor mbizotëron komuna e Prishtinës me 897 ndërmarrje të regjistruara (31.3%); Ferizaj me 254 ndërmarrje të regjistruara (8.9%); Prizreni me 200 ndërmarrje të regjistruara (7.0%); Gjilani me 161 ndërmarrje të regjistruara (5.6%); Peja me 132 ndërmarrje të regjistruara (4.6%); dhe Fushë Kosova me 126 ndërmarrje të regjistruara (4.4%). Komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.
Për më shumë informata rreth Repertorit Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë, vizitoni: http://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves/ekonomi/regjistri-statistikor-i-bizneseve