08 Nëntor 2024

ASK: Mbi 70 % e të punësuarve kanë kontratë të përkohshme

Prishtinë, 25 nëntor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) përmes kësaj komunikate u ofron përdoruesve të statistikave zyrtare, rezultatet kryesore të Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e parë (TM1) 2016.

Anketa ka pasur shtrirje në 591 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 3 702 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, 2011. Ekonomitë familjare, të selektuara për anketim, përveç që kanë pasur një anketim, ato kanë pasur edhe tri rianketime, sipas periudhës referuese.

Ky publikim përmban të dhëna të detajuara mbi punësimin dhe papunësinë sipas moshës, gjinisë, statusit të punësimit, aktiviteteve ekonomike, profesioneve dhe çështjeve të tjera të ngjashme, që kanë të bëjnë me tregun e punës.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, del se dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune, ku në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare.

Në kuadër të popullsisë me moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 35.2%. 

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e parë (TM1) 2016, është 25.5%. Punësimi më i lartë është te meshkujt, 38.6%; ndërsa punësimi te femrat është 12.2%.

Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me rreth 51% të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e prodhimit, tregtisë dhe ndërtimtarisë, me rreth 44%.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 16.2%; prodhimi me 13.7%; arsimi me 11.8%; dhe ndërtimtaria me 8.9%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Sa i përket të punësuarve me kontrata, del se 29.2% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 70.8% kanë kontratë të  përkohshme.

Sipas rezultateve të AFP-së, në TM1 2016 shkalla e papunësisë është 27.7%. Papunësia më e theksuar është te femrat me 30.0%, krahasuar me meshkujt, që është 26.9%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 53.8%.

Sipas rezultateve të AFP-së, në TM1 2016 fuqia joaktive është mjaft e lartë, 64.8%, me fokus të veçantë te femrat me 82.6%, krahasuar me meshkujt, 47.2%.

Për realizimin e AFP-së, TM1 2016, metodologjia dhe standardet e aplikuara nga ana e ASK-së janë të harmonizuara me rekomandimet e Eurostat-it. Është hera e parë që ASK-ja publikon të dhëna tremujore nga AFP-ja. Këto të dhëna në baza tremujore ASK-ja i publikon për shkak të interesimit të madh të përdoruesve të statistikave zyrtare dhe konsiderohen si të dhëna preliminare. ASK-ja, brenda mundësive buxhetore, në vazhdimësi po bën përpjekje për ngritjen e kapaciteteve për të publikuar statistika të qëndrueshme dhe sa më cilësore.

Me këtë rast, ASK-ja falënderon të gjithë ata që kontribuan në finalizimin e këtyre të dhënave, e posaçërisht stafin e vetë në realizimin e AFP-së për TM1 2016. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)