ASK dhe UNDP lansojnë studimin e tretë mbi remitencat
Me këtë rast u organizua një Konferencë, në të cilën morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe një numër i madhe i mediave.
Kryeshefi Ekzekutiv i ASK-së, Isa Krasniqi tha se Studimi mbi Remitencat në Kosovë ka si qëllim ofrimin e të dhënave statistikore mbi të hyrat, shfrytëzimin dhe ndikimin e migrimit dhe të remitencave në Kosovë, gjatë vitit 2012.
Po ashtu, ky studim sipas tij ka për qëllim matjen e efektit të remitencave në mirëqenien e familjeve pranuese dhe në zhvillimin social dhe ekonomik të vendit.
Anketa mbi Remitencat e Ekonomive Familjare është realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës me mbështetjen e UNDP-së dhe të Ministrisë së Jashtme të Finlandës.
Së bashku me dy anketat e viteve të kaluara, të realizuara nga UNDP-ja, gjetjet e kësaj ankete përbëjnë një input të rëndësishëm për hartimin e politikave dhe strategjive nga institucionet vendimmarrëse.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Ambasadës së Finlandës në Prishtinë, znj. Anne Meskanen inkurajoi ASK-në se kjo Anketë mbi Remitencat në Kosovë duhet të jetë e përvitshme, kurse mbështetja nga ana e tyre nuk do të mungojë.
Kurse, koordinatori për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara dhe njëherit përfaqësues rezident i UNDP-së, Z. Andrew Russell, përgëzoi Agjencinë e Statistikave të Kosovës për punën e shkëlqyer, pasi ky është një studim i kryer veçanërisht nga ASK-ja, përderisa dy raportet e viteteve të fundit i ka bërë vetë UNDP-ja.
Sipas këtij studimi, del se në vitin 2012 remitencat e dërguara shënuan një rritje vjetore prej 23.1% në krahasim me vitin 2011. Shifra totale e remitencave të dërguara, e llogaritur në euro, është 457 milionë, e që merr pjesë në Bruto Produktin Vendor me 9.3%.
Në vitin 2012, 22.4% e familjeve kosovare kanë pranuar remitenca nga familjarët e tyre në diasporë, derisa 43% e qytetarëve të Kosovës kanë anëtarë të familjes që jetojnë jashtë vendit.
Shtrirja gjeografike e emigracionit kosovar është në Gjermani 32.8%, Zvicër 24.8%, Itali 7.6%, etj.
Një pjesë e konsiderueshme e dërgesave të emigrantëve për familjet në Kosovë vjen në formën e mallrave dhe shërbimeve. Prin bindshëm kategoria e veshmbathjeve (49%), e vijuar nga veturat (20%), blerja e tokës (11%) dhe mobiljet (8%).
Pjesa më e madhe e emigrantëve (42%) i dërguan remitencat përmes kanaleve personale/joformale. Kurse, kanalet e tjera të preferuara ishin bankat (32%) dhe angjencitë e specializuara për transfere parash (23%).