Asetet pensionale arrin në mbi 1 miliardë euro
Prishtinë, 3 dhjetor - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës(BQK), ka njoftuar se asetet e sektorit pensional në shtator 2014 arritën vlerën prej 1.04 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 21.5 për qind.
Struktura e aseteve të sektorit të pensioneve dominohet nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) i cili menaxhon 99.4 përqind të gjithsej aseteve, ndërsa pjesa e mbetur prej 0.6 përqind menaxhohet nga Fondi SllovenoKosovar i Pensioneve (FSKP). FKPK edhe gjatë nëntëmujorit të vitit 2014 ka vazhduar të zgjerohet si rezultat i kthimit pozitiv në investime dhe arkëtimeve të reja të kontributeve pensionale. Gjithsej asetet e FKPK-së në shtator 2014 arritën vlerën prej 1.0 miliard euro. Në nëntë muajt e parë të vitit 2014, FKPK ka realizuar 46.4 milionë euro kthim bruto nga investimet,thuhet në raportin e BQK-së, për vlerësimin Tremujor të Ekonomisë.
Sipas BQK-së, në ditën e fundit të shtatorit 2014, çmimi i aksionit arriti në 1.27 euro (1.17 euro në shtator 2013). Ndërsa, vlera e kontributeve të arkëtuara deri në shtator 2014 arriti në 95.2 milionë euro me rreth 469.5 mijë kontribuues.
Performancë pozitive është vërejtur edhe në aktivitetin e FSKP-së. Në shtator 2014, gjithsej asetet e FSKP-së kishin vlerën 5.7 milionë euro krahasuar me 5.2 milionë euro sa ishin në shtator 2013. Rritja kryesisht i atribuohet kthimit nga investimet, që deri në shtator 2014 arriti në 330.7 mijë euro. Në ditën e fundit të shtatorit 2014, çmimi i aksionit të FSKP-së arriti në 145.69 euro (134.71 eauro në shtator 2013), thuhet në raportin e BQK-së.