Asetet mikrofinanciare arrijnë në 113.5 milionë euro
Prishtinë, 14 qershor - Asetet e sektorit mikrofinanciar në mars 2015 arritën vlerën prej 113.5 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 1.9 për qind krahasuar me rënien prej 1.5 për qind në mars 2014.
Vlera e gjithsej kredive arriti në 75.2 milionë euro në mars 2015, duke shënuar rritje vjetore prej 1.3 për qind (rënie vjetore prej 2.0 për qind në mars 2014).
Rritja e gjithsej kredive ishte rezultat i rritjes së kredive për ndërmarrjet, në cilat në mars 2015 ishin për 8.0 për qind më të larta krahasuar me mars 2014. Ndërsa, kreditë ndaj ekonomive familjare shënuan rënie vjetore prej 1.8 për qind.
\"Rënia e kreditimit ndaj ekonomive familjare mund të jetë ndikuar nga konkurrenca prej sektorit bankar duke marrë parasysh që kreditimi bankar për ekonomitë familjare gjatë kësaj periudhë ka shënuar rritje të theksuar, është thënë në raportin e BQK-së për vlerësimin tremujor të ekonomisë. Sipas raportit sipas sektorëve ekonomik, pothuajse të gjitha kategoritë e kreditimit në mars 2015 u karakterizuan me rritje.
Kreditë ndaj sektorit të shërbimeve të cilat përbëjnë 45.8 për qind të gjithsej strukturës, u karakterizuan me rritje vjetore prej 5.8 për qind (rënie vjetore prej 1.7 për qind në mars 2014).
Kreditë ndaj sektorit të industrisë, të cilat janë kategoria e dytë për nga pesha në strukturë, shënuan rritjen më të theksuar vjetore prej 16.7 për qind në mars 2015 krahasuar me rënien vjetore prej 6.0 për qind në mars 2014, thuhet në raport. Në kuadër të sektorit të industrisë, kreditë për ndërtimtari u karakterizuan me rritje vjetore prej 14.3 për qind në mars 2015, për dallim nga sektori bankar, ku kreditimit i kësaj veprimtarie vazhdon të zvogëlohet.
Me rritje u karakterizua edhe kategoria e tretë për nga madhësia që përbëhet nga kreditë ndaj bujqësisë, të cilat shënuan rritje vjetore prej 3.1 për qind në mars 2015 (rënie prej 14.9 për qind në mars 2014). Struktura e kredive të IMF-ve sipas afatit të maturimit vazhdon të jetë e ngjashme me vitet e kaluara, duke u dominuar nga kreditë me afat të mesëm maturimi, ka njoftuar BQK-ja. Në mars 2015, kreditë me afat maturimi mbi 1 deri 5 vite në mars 2015 kishin një pjesëmarrje prej 85.5 për qind në gjithsej kreditë, pasuar nga ato me maturim deri 1 vit me 14.2 për qind dhe mbi 5 vite me 0.3 për qind, është thënë në raportin e BQK-së për vlerësimin tremujor të ekonomisë.