Asetet financiare të Kosovës, 4.69 miliardë euro
Prishtinë, 9 qershor - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka bërë me dije se në muajin mars 2015 vlera e aseteve të sistemit financiar të Kosovës arriti në 4.69 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 10.1-përqindësh.
Kjo rritje i atribuohet kryesisht rritjes së aseteve të fondeve pensionale dhe bankave komerciale, sektorë këta që dominojnë asetet e sistemit financiar. Sektori i sigurimeve, ai mikrofinancair dhe i ndihmësve financiarë, pavarësisht zgjerimit të aktivitetit, kishin kontribut të vogël në rritjen e gjithsej aseteve të sistemit, ka njoftuar BQK-ja.
Vlera e gjithsej aseteve, sipas BQK-së, e sektorit bankar në mars 2015, arriti në 3.25 miliardë euro, që përkon me një rritje vjetore prej 6.5-përqindësh. Rritja ishte më e ngadalësuar në krahasim me vitin paraprak, kryesisht si rezultat i ngadalësimit të rritjes të depozitave që përfaqësojnë burimin kryesor të financimit të aktivitetit bankar, është thënë në raportin e BQK-së. Po ashtu, BQK-ja ka bërë me dije se struktura e aseteve të sektorit bankar në mars 2015 ishte e ngjashme me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Me rritje të pjesëmarrjes u karakterizuan kategoritë e bilancit me bankat e tjera dhe parasë së gatshme dhe bilancit me BQK-në, ndërsa me rënie të lehtë të pjesëmarrjes në gjithsej asete u karakterizuan kategoria e kredive dhe ajo e letrave me vlerë, ka njoftuar BQK-ja.
Sipas raportit të BQK-së, rritja e pjesëmarrjes së kategorisë së parasë së gatshme dhe bilancit me BQK-në, krahasuar me vitin e kaluar, ishte kryesisht reflektim i ngadalësimit të rritjes së letrave me vlerë dhe të bilancit me bankat e tjera, që u reflektua edhe në investimet e sektorit bankar në sektorin e jashtëm në këto dy instrumente.
Kategoria e bilancit me bankat e tjera u karakterizua me rritje vjetore prej 15.6-përqindësh, e cila është dukshëm më e ulët se rritja prej 42.5-përqindësh në mars 2014, kryesisht si pasojë e rritjes më të ulët të depozitave të afatizuara të mbajtura në bankat jashtë vendit gjatë kësaj periudhe. Investimet në letra me vlerë në mars 2015 arritën vlerën prej 400.7 milionë eurosh, duke shënuar rritje vjetore prej 2.1-përqindësh, që është dukshëm më e ulët se rritja prej 42.5-përqindësh e vitit paraprak, ka njoftuar BQK-ja. Sipas BQK-së, ky zhvillim ishte kryesisht si rezultat i rënies vjetore prej 23.3-përqindësh, rritje 31.6 për qind në mars 2014 të investimeve në letra me vlerë të qeverive të huaja, të cilat edhe përbëjnë 50.9 për qind të portfolios së investimeve.
Normat e pafavorshme të interesit në letrat me vlerë të qeverive të huaja kanë ndikuar që bankat ti zvogëlojnë investimet jashtë vendit në këtë instrument. Investimet në letra me vlerë të Qeverisë së Kosovës në mars 2015 përbëjnë 49.0 për qind të gjithsej portfolios së investimeve në letra me vlerë dhe shënuan rritje vjetore prej 54.4-përqindësh.
Nga kjo shihet se bankat vazhdojnë ti favorizojnë investimet në letra me vlerë në tregun vendor, gjë e cila kryesisht reflekton normat më të larta të interesit që ofrojnë këto instrumente të investimeve, është thënë në raportin e BQK-së për vlerësimin tremujor të ekonomisë.