Asetet e sigurimeve janë rritur në 131.6 milionë euro
Prishtinë, 17 dhjetor - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se deri në shtator 2013 asetet e industrisë së sigurimeve në Kosovë kanë arritur në 131.6 milionë euro, një rritje vjetore prej 0.9-përqindësh.
Vlera e primeve të kontraktuara gjatë kësaj periudhe arriti në 49.9 milionë euro që, krahasuar me shtatorin e vitit 2012, paraqet një rritje vjetore prej 8.6-përqindësh.
Me rritje më të lartë vjetore prej 11.3-përqindësh u karakterizuan dëmet e ndodhura, që deri në shtator 2013 arritën vlerën prej 19.9 milionë eurosh. Tregu i sigurimeve u karakterizua me humbje në vlerë prej 96.326 eurosh deri në shtator 2013, kryesisht si pasojë e rritjes vjetore të nivelit të gjithsej shpenzimeve të tjera dhe dëmeve të ndodhura gjatë kësaj periudhe, është thënë në raportin e BQK-së.
Trusti ka 854 milionë euro
Po në raportin e BQK-së janë përfshirë edhe Fondet e Trustit. Në raport është thënë se vlera e mjeteve nën menaxhim të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës në shtator 2013 ka arritur në 854 milionë euro.
BQK-ja ka njoftuar se Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka realizuar kthim pozitiv nga investimet në vlerë prej 41.5 milionë eurosh deri në shtator 2013.
Në të njëjtën kohë, edhe vlera e çmimit të aksionit arriti në 1.17 euro, që paraqet një rritje vjetore prej 6.4-përqindësh, ka njoftuar BQK-ja.
BQK-ja, në raportin e vlerësimit tremujor të ekonomisë së Kosovës, ka njoftuar se në shtator 2013 asetet e institucioneve financiare (IMF) kishin një vlerë prej 111.8 milionë eurosh, një zvogëlim krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak prej 7.5-përqindësh.
Zvogëlimi i aseteve reflekton zvogëlimin e mëtejmë të kreditimit nga IMF-të. Në shtator 2013, gjithsej kreditë e lëshuara nga IMF-të arritën vlerën prej 72.5 milionë eurosh, që paraqet një rënie vjetore prej 8.6-përqindësh, ka njoftuar BQK-ja.
Sipas raportit, norma mesatare e interesit në kreditë e lëshuara nga IMF-të ka shënuar rritje të mëtutjeshme, duke arritur në 23.2 për qind në TM3 2013, krahasuar me 23 për qind në TM2 2012.
Megjithatë, ky sektor vazhdoi të operojë me humbje, por e cila ishte më e ulët se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Në shtator 2013 sektori i institucioneve mikrofinanciare shënoi humbje prej 1.3 milion eurosh krahasuar me humbjen prej 3.9 milionë eurosh në shtator 2013. Zvogëlimi i humbjes rezultoi nga zvogëlimi i gjithsej shpenzimeve për 17.2 për qind, përderisa të hyrat shënuan rënie vjetore prej 4.6-përqindësh, është bërë me dije në raport.(ER)