Asetet e bankave komerciale me vlerë mbi tre miliardë euro
Prishtinë, 2 prill - Asetet e bankave komerciale në fund të shkurtit 2014 kanë arritur vlerën 3.04 miliardë euro. Në kuadër të aseteve, bilanci i bankave komerciale në BQK është zvogëluar për rreth 30 milionë euro. Bruto kreditë e bankave komerciale shënuan vlerën 1.8 miliard euro.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar, se Investimet e bankave në letra me vlerë arritën në 373.1 milionë euro apo rritje mujore prej 18.1 milionë euro.
\"Depozitat e klientëve në bankat komerciale në shkurt 2014 shënuan vlerën 2.4 miliardë euro. Rreth 46.0 përqind e depozitave janë të afatizuara. Raporti i kredive ndaj depozitave mbetet në nivelin 73.7 përqind\", thuhet n ë raport.
Sipas BQK-së, huamarrjet e bankave, detyrimet e tjera dhe provizionet për kredi të gjitha se bashku janë rritur për 4.8 %. Neto fitimi i bankave komerciale në Kosovë në dy muajt e parë të 2014 shënoi vlerën 5.4 milionë euro.
\"Kapitali i bankave komerciale arriti në 283.4 milionë euro. Krahasuar me shkurtin e vitit 2013 kapitali u rrit 0.8 përqind\", thuhet në raportin e BQK-së, për statistikat për sektorin financiar për muajin shkurt 2014 dhe sektorin e jashtëm për tremujorin e katërt të vitit 2013.